Një ngjarje e rëndë u shënua ditën e djeshme në një burg të Francës, teksa u gjet i vdekur një 36-vjeçar shqiptar.
Sipas mediave franceze, Mentor Rexha nga Lezha dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Por fotot e publikuara të trupit të tij tregojnë tjetër gjë, pasi në të konstatohen shenja të rënda dhune.
Në lidhje me këtë kanë folur edhe familjarët e 36-vjeçarit nga Lezha. Në një prononcim për News24, ata theksojnë se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij.
“I bëj thirrje shtetit shqiptar që ta zbardh këtë ngjarje, djali nuk ka kryer vetëvrasje por është dhunuar në burg. Lajmin e kemi marrë nga shokët e tij që na kanë treguar sepse askush tjetër nuk na ka lajmëruar për vdekjen e djalit. Djali kishte një vit që ishte në Francë dhe 6 muaj kishte në burg se akuzohej për djegien e disa makinave. Ka qenë duke folur me vëllain në telefon kur e kanë arrestuar. Gjatë kohës që kemi folur në telefon nuk na ka shprehur shqetësime dhe ne jemi të bindur se nuk ka kryer vetëvrasje. Kërkojmë që të hetohet sepse në trup ka shenja dhune. I bëj thirrje shtetit të më kthejnë trupin e djalit dhe të zbardhet ngjarja. Fëmijët i kam rritur me halle”, ka thënë e ëma e viktimës.
Ndërsa kushëriri i viktimës, Selaudin Rexha u shpreh se: Ambasada shqiptare në Francë nuk na është përgjigjur por na është shprehur në mënyrë absurde kur i kemi kërkuar ndihmë dhe të gjitha veprimet janë duke i kryer vëllai i viktimës me të motrën e tij. Akuzat ndaj kushëririt tim janë të pavërteta. Ky është rasti i 5 i shqiptarëve që vriten në burg dhe dy janë nga Shkodra ndërkohë që shtetit nuk hesht ndërkohë që po të ishin nga ndonjë shtet tjetër reagimi do ishte i madh.