Dy gola dhe një asist, Cikalleshi shpallet lojtari i ndeshjes për Konyaspor

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi, ka qenë protagonist absolut me skuadrën e tij Konyaspor në kampionatin elitar të Turqisë.

Bomberi kavajas ka shënuar dy herë për skuadrën e tij në fitoren 5-1 të Konyaspor ndaj Karagumruk, duke dhënë edhe një asist, ndërkohë që realizoi edhe një gol tjetër që u anulua nga gjyqtari i ndeshjes pas konsultimit me sistemin VAR.

Cikalleshi e dërgoi topin në rrjetë pas një goditje me kokë, por gjyqtari e cilësoi të parregullt për shkak të pozicionit jashtë loje. Mirëpo, në minutën e 61-të shqiptari ia doli të shënonte golin e tij të parë dhe atë të avantazhit për Konyaspor pas një rrëmuje në zonë.

Vetëm pak minuta më vonë sulmuesi kuqezi depërtoi në djahtën dhe dha një asist për shokun e skuadrës Zymer Bytyqi, i cili shënoi dhe i çoi shifrat në 3-1. Por nuk mbaronte me kaq për Cikallëshin, i cili në minutën e 85-të shënoi me kokë golin e 4-t të ndeshjes për Konyaspor.

Sipas uebsajtit të specializuar për statistikat “Sofascore”, shqiptari është shpallur lojtari i ndeshjes, duke marrë notën 9.1 dhe sipas gjasave do të jetë edhe në formacionin më të mirë të javës në kampionatin turk.

Duhet theksuar se sulmuesi kuqezi ka qenë dy herë gjatë këtij sezonin në formacionin më të mirë të javës, ndërkohë që ka shënuar 6 gola këtë sezon për Konyaspor. Me Kombëtaren ai shkëlqeu në edicionin e fundit të Nations League, duke realizuar 4 gola./fshf.org/