Pa u bërë 24 orë, ka ardhur dhe largimi i dytë nga radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. Mbrëmjen e së hënës ishte Alfred Rushaj i cili njoftoi largimin nga politika dhe lënien e mandatit, duke bërë me dije se është një vendim për arsye personale.
Mesditën e sotme, Grida Duma në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat deklaroi se ka dorëzuar kërkesën për lënien e mandatit.
Duma tha se e bën këtë akt, pasi është shumë e zhgënjyer nga politika. Ish-deputetja Grida Duma ka treguar pengun e saj, që do e ketë deri në fund të jetës, pas dorëzimit të mandatit. Ajo u shpreh se sulmet politike që iu bënë, ishin goditje për djalin e saj dhe kjo është një gjë që s’do e falë kurrë.
Pritet që në radhët e PD-së të ketë të tjera largime. Deputeti Belind Këlliçi, nëse fiton primaret e Sali Berishës për kandidat për Bashkinë e Tiranës, do të dorëzojë mandatin e deputetit, duke ndryshuar në këtë mënyrë listën e Tiranës me 3 emra të rinj.