Duma sfidon Veliajn: Të garojë për deputet, po mori 7% të votave lë mandatin

Ish-deputetja dhe Drejtuesja Politike e Partisë Demokratike për Tiranën, Grida Duma ka lëshuar një sfidë për kryebashkiakun, Erion Veliaj.

Gjatë një takimi me qytetarë në fshatin Blerim të Kavajës, Duma u shpreh se Veliaj i bën takimet me dyer të mbyllura, pasi në vitin 2019 nuk mori as 7% të votuesve në zgjedhjet lokale.

Duma kërkoi nga Veliaj, të heqë dorë nga mandati i Tiranës, e te futet në listat për deputet, ndërsa garantoi se heq dorë nga mandati i saj nëse ai merr në Kavajë dhe në Rrogozhinë 7% të votave.

Grida Duma: ”Nëse ai guxon që tenderat, mashtrimet, vjedhjet, që vjen nëpër Kavajë dhe Rrogozhinë dhe bën takime me dyer të mbyllura që në 2019 doli si kandidat i vetëm në Tiranë dhe nuk mori dot as 7% të votuesve në zgjedhje…nëse guxon të shfaqet këtu dhe të bëjë pazare me votën e shqiptarëve, unë po i them qartësisht fare një gjë dhe pastaj do i themi të dytën. Kur t’i vijë radha. Të heqë dorë nga mandati i Tiranës, ta lëjë mandatin e Tiranës, të futet në listë, të konkurrojë dhe të dalë përballë këtu me mua dhe nëse merr ai në Kavajë dhe në Rrogozhinë 7% të votave, ja ku këtu jemi burrash që unë e lë këtë mandat. Nëse merr ai këtu rezultat, ballë-për-ballë se ka vetëm një përballje në politikë: vota, lista, përfaqësimi, llogaridhënia dhe përgjegjësia ndaj njerëzve që u kërkon votën.”