Nga Bernard Guetta “Internazionale”
Shifrat flasin vetë. Banorët e Kinës, janë 3 herë më të shumtë në numër se sa ata në Evropë, dhe ndonëse standardi i jetesës në Republikën Popullore nuk është ai i Bashkimit Evropian, norma e rritjes ekonomike është aktualisht 3 herë më e madhe, dhe zhvillimi i saj teknologjik është sot mbresëlënës.
Për Evropën, Kina është shndërruar tashmë në një rivale të fortë ekonomike, industriale dhe financiare si Shtetet e Bashkuara, në mos edhe më shumë. Kundër ‘perandorisë së mesme’ – të gjysmës së botës dhe jo vetëm e Azisë – evropianët nuk kanë më luksin të mos kenë një qëndrim të përbashkët, dhe për këtë arsye Emanuel Makron, pati të drejtë që nuk u takua vetëm për vetëm me homologun kinez Xi Jinping më 26 mars në Paris.
Në fakt, është tejet e bezdisshme ta pranosh që Franca nuk e ka më peshën politike që kishte dikur, dhe që nuk jemi më në ditët kur gjenerali Sharl De Gol, mund të ishte udhëheqësi i parë perëndimor, që njihte regjimin komunist në Pekin.
Ne do të kishim dashur të kishim edhe sot të njëjtin raport forcash si gjysmë shekulli më parë, por sigurisht që përkundrejt ëmbëlsisë së iluzioneve, duhet të preferojmë realitetin e shifrave, dhe të ftojmë kancelaren gjermane dhe Presidentin e Komisionit Evropian, për të pritur së bashku presidentin kinez.
Ky vendim, nuk do t’i ndryshojë gjërat rrënjësisht, por do ta bëjë Pekinin të kuptojë se Franca është mjaftueshëm e kthjellët, sa të zgjedhë të mbështetet më shumë në aleancën e saj me Gjermaninë, sesa tek krenaria e saj e dikurshme, dhe se vetë gjermanët e kuptojnë se është më mirë të mbështeten tek Franca, sesa të përpiqen të mbajnë vetëm nivelet e eksporteve.
Bashkimi Evropian ka qenë rrallë kaq i qartë në mesazhin e tij, se dëshiron të ekzistojë, dhe se hesapet duhet të bëhen edhe më të. 26 marsi 2019, është një datë e rëndësishme. Nuk bëhet fjalë për shpalljen e një lufte ekonomike ndaj Kinës, por fillimin e një diskutimeve midis dy fuqive, për të përcaktuar marrëdhënie të barabarta dhe reciprokisht interesante.
Në këtë rrugë duhet të vazhdojmë të ecim, dhe ky të jetë një shembull që duhet ndjekur edhe në marrëdhëniet tona me Rusinë, të cilat sot janë në pikën më të ulët. Në Krime, Vladimir Putini realizoi aneksimin e tij të parë territorial të periudhës evropiane të pasluftës, ndërsa financon me para, furnizon me armë, dhe drejton një luftë të vërtetë në Ukrainën Lindore, ndërsa ka shumëfishuar provokimet ushtarake përreth vendeve të Baltikut.
Presidenti rus, po nxit një revanshizëm destabilizues, dhe po paralizon shkëmbimet ekonomike midis dy pjesëve të kontinentit evropian. Përveçse nëse nxit një luftë të hapur, Putini vështirë se mund të na bëjë më keq se kaq. Por fakti është që Rusia ka nevojë për investimet dhe për teknologjinë e BE-së, po aq sa BE-ja për furnizime të qëndrueshme me lëndë të para.
Të dyja shtyllat e kontinentit, të përfaqësuara nga BE dhe Federata Ruse, kanë jo vetëm interes të krijojnë kushtet për një bashkëpunim ekonomik të qëndrueshëm, por stabilizimi i kontinentit, respektimi i kufijve të tij, dhe garantimi i një neutraliteti të qartë të Ukrainës, do të na lejojë të veprojmë së bashku në favor të stabilizimit të fqinjëve tanë arabë, turq, iranianë dhe afrikanë.
Së bashku, Bashkimi Europian dhe Federata Ruse mund të krijojnë shpejt qendrën më të madhe ekonomike dhe politike në botë, në vend se të humbasin energji në përplasje të padobishme. Ky mesazh – aq i rëndësishëm, sa ai i adresuar ndaj Kinës – duhet të dërgohet në Moskë.
Ne duhet më së pari të veprojmë me qetësi, t’i masim pulsin Kremlinit, t’ia bëjmë me dije nevojat dhe propozimet tona, të studiojmë propozimet e tij, dhe pastaj të ecim më tej. Dhe ashtu siç ishim në gjendje të nënshkruanim marrëveshjet e Helsinkit me Bashkimin Sovjetik, mund të nënshkruajmë marrëveshje të reja me Rusinë. Sigurisht që nuk do të ishte më e lehtë, por jo e pamundur. Bashkimi Evropian, duhet të pohojë fuqinë dhe statusin e tij, dhe për këtë qëllim duhet të tregojë iniciativë, guxim dhe imagjinatë./ Përktheu për Tirana Today, Alket Goce