Drejtonte mjetin i dehur, arrestohet kandidati i LSI-së për deputet në Elbasan

Kandidati i LSI-së për qarkun e Elbasanit, Sokol Skura është arrestuar sot pasi është kapur nga policia duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Mësohet se Skura po udhëtonte në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, kur gjatë kontrollit ka rezultuar se kishte konsumuar alkool.

42-vjeçari renditet i pesti në listën e LSI-së për qarkun e Elbasanit, ndërsa kryesimin e ka vetë Monika Kryemadhi, e cila ditën e sotme bëri prezantimin e kandidatëve për deputetë.

Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me policinë. Në vitin 2015 në gjendje të dehur, Skura ka aksidentuar për vdekje me makinë një djalë të ri 17-vjeçar në Mengël të Elbasanit.

I larguar nga Partia Socialiste që në vitin 2015, ai është akuzuar edhe për korrupsion në skandalin e grabitjes së rreth 500 milionë lekëve nga Fondi i Rimbursimit të Barnave.