E enjte, 9 Korrik, 2020
22 C
Tirana

Drejtësia e papërgatitur ndaj pedofilisë: Fëmijët në rrezik! 98 pedofilë sërish të lirë

Më të lexuarat

“Çdo veprim i njëanshëm do të përbënte prishje të marrëveshjes”, PD i përgjigjet Ramës

Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje ftesës së kryeministrit Rama, i cili u shpreh i gatshëm për të arritur konsensus me opozitën jashtë parlamentare....

Ngjela: Me lista të hapura, Sokol Olldashi e rrëzon sërish Bashën nga PD

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, shprehet se korrupsionit të lartë shtetëror po i vijnë tre kërcënime: reforma në drejtësi, reforma antikorrupsion dhe reforma e...

Merret vendimi/ Ja me sa vite burg dënohet Dritan Dajti

Gjykata e Elbasanit i ka bashkuar dy dënime në një ndaj Dritan Dajtit duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burgim. Dritan Dajtit i kanë...

Presidenti i infektuar hoqi maskën në konferencë! Gazetarët, zero tolerancë ndaj tij

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro para disa ditësh konfirmoi se ishte infektuar me koronavirus. Rikujtojmë se herë pas here ai injoronte pandeminë duke thënë se...

Aktori i serialit ‘Sulejmani i madhërishëm’ dhunon partneren e tij (FOTO)

Edhe aktorët e serialeve kanë një jetë të trazuar, me plot të papritura. Angazhimet e tyre profesionale dhe produkti i tyre, i nxjerr më...

Pandemia/ Italia mbyll kufijtë me 13 vende

Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka publikuar listën e 13 vendeve me të cilat Italia do të mbyllë kufijtë. Në listën e publikuar nga...

Meta publikon fotot me Thaçin nga Gjiri i Lalzit, ja kush tjetër ishte me ta

Presidenti Ilir Meta ka publikuar foto nga takimi në Gjirin e Lalzit me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. Nga fotot e publikuara nga kreu...

Ishte shpallur i humbur, kryebashkiaku gjendet i pajetë në një mal

Kryebashkiaku i kryeqytetit të Koresë së Jugut, Park Won-soon, është gjetur sot i pajetë nga policia pak orë pasi u shpall i humbur. Ishte vajza...

Gent Cakaj shkarkon të gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinë, i dërgon Metës emrin e ri

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka shkarkuar të gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinë, përfshi edhe ambasadoren. Një...

Pamje të rralla/ Ndodh 1 në 80 mijë raste, vjen në jetë fëmija me ‘këmishë’ (FOTO)

Një foshnje në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ në kryeqytet, ka lindur i mbështjellë me qese amniotike, që në gjuhën popullore cilësohet si 'i lindur me...

Nga Elvin Luku

Të paktën 98 persona të cilët kanë kryer krime seksuale me të miturit kanë rifituar lirinë, por asnjë prej tyre nuk është identifikuar nga drejtësia si pedofilë e s’është trajtuar me mjekime përgjatë apo pas dënimit të kryer në dhjetë vitet e fundit, duke u kthyer sërish në një kërcënim për fëmijët përreth vendbanimeve të tyre në gjithë territorin e Shqipërisë.

Qytetet më të rrezikuara janë Tirana, Durrësi, Elbasani e Korça ku banojnë 61 pedofilë që kanë shlyer dënimin. Nga këta, 41 kanë konsumuar veprën e marrëdhënieve seksuale me të mitur, tetë prej të cilëve me dhunë. Alarmi shumëfishohet kur mëson se Seksionet e Dhunës në Familje dhe Fëmijëve pranë Policive Vendore në qytetet e kërcënuara nuk kanë më shumë se dy oficerë që krahas çështjeve të tjera duhet dhe të mbikëqyrin grabitqarët seksual. Në Tiranë raporti i gjurmimit është 2 polic për 48 pedofilë të lirë.

Të dhënat kanë dalë nga një investigim i Qendrës Shqiptare MediaLook mbi krimet me fëmijët nën moshën 14-vjecare, për një periudhën 2010-2019, informacione dhe vendime që janë siguruar në rrugë zyrtare nga të gjitha Gjykatat e Rretheve, Prokuroria e Përgjithshme, Policia por dhe aksesi në vendimet të cilët ndodhen online në sistemin ICMIS për gjykatat e rretheve dhe ARK-IT për Gjykatën e Tiranës. (futu në databazë)

Ky hulumtim ka nxjerrë në pah qasjen e gabuar të sistemit të drejtësisë në trajtimin e problematikës por dhe të strukturave të tjera shtetërore, të cilët nuk parandalojë, identifikojnë në kohë apo aplikojnë metoda mjekësore për pedofilët por “presin” dhe kujdesen vetëm për fëmijët-viktima.

Gjithashtu, është vërejtur se gjykatat dënojnë por nuk rehabilitojnë “grabitqarë seksuale”, të cilët, kanë prirje të kryejnë sërish të njëjtin krim me të miturit, për shkak të tipologjisë së pedofilisë si sëmundje mendore.

OBSH: Pedofilia një sëmundje psikike! Dr. Pilika: Trajtohet me psikoterapi dhe medikamente

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Shoqata Amerikane e Psikiatërve e klasifikojnë pedofilinë si një sëmundje psikike e cila lidhet me tërheqjen seksuale ndaj të miturve nën moshën 14-vjecare, të cilët ende nuk e kanë arritur pjekurinë seksuale.

Në raportin e njëmbëdhjetë “Klasifikimi Botëror i Sëmundjeve”, botuar në prill të vitit 2019, OBSH-ja ka përditësuar konkluzionet shkencore mbi problemet shëndetësore, përfshi pedofilinë, duke e renditur atë si “sëmundje e çrregullimit psikik, pjesë e çrregullimeve parafilike”:

Pedofilia karakterizohet nga një dëshirë seksuale intensive dhe e vazhdueshme, e cila manifestohet nga mendime, fantazi, nxitje dhe sjellje seksuale, që përfshin fëmijët, vajza dhe djem, para pubertetit ose në pubertetin e hershëm. Në mënyrë që ajo të diagnostikohet si çrregullim pedofilik, me kod 6D32, individi duhet të ketë tentuar apo të ketë vepruar mbi këto mendime, fantazi, dëshira ose të ketë shprehur shqetësimin për to. Kjo diagnozë nuk vlen për sjellje të tilla seksuale mes fëmijëve në moshë të afërt.

Të njëjtin diagnostikim për personat pedofil ka dhe Shoqata Amerikane e Psikiatërve. Në botimin e tyre të fundit DSM-5, krahas përkufizimit të sipërcituar, evidentohet se që të cilësohet si pedofil “individi duhet të jetë të paktën në moshën 16 vjeçare dhe të paktën 5 vjet më i madh se fëmija ndaj të cilit ushtron ngacmimin seksual”. Gjithashtu, “çrregullimi pedofilik”, – thuhet në këtë dokument, – “ashtu sikundër çrregullimet psikotike apo varësia ndaj alkoolit e lojërave të fatit nuk e përjashtojnë individin nga përgjegjësia penale”. Megjithatë rekomandohet që çdo rast të diagnostikohet për të parë shkallën e ndikimit të këtyre çrregullimeve në sjelljen e njeriut.

Në Shqipëri, ashtu sikurse parashikohet në protokollet mjekësore, për të trajtuar një pacient Pedofil aplikohen si metoda psikoterapia dhe trajtimi me medikamente. Dr. Anila Pilika, Pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë QSUT – Poli i Neuroshkencave, shprehet se “psikoterapia me efikase është ajo Kognitive, e Sjelljes dhe me medikamente, ku përdoren antiandrogene dhe antidepresive, kryesisht SSRI”. Sikurse shpjegon mjekja, këto të fundit janë “frenuesit selektive të rikapjes  së serotoninës, për te trajtuar çrregullimet seksuale kompulsive bashkëshoqëruese të pedofilisë”. Dr. Pilika pohon se “trajtimet e përdorura për pedofilinë nuk janë gjithmonë efektive, për një sërë arsyesh, por shton se protokollet mjekësore duhen aplikuar pasi një pacient i pa trajtuar ka prirje të agravojë”.

Skandali me gjykatat! Vetëm një kërkesë për ekzaminimin e pedofilisë në 10-vjet, asnjë trajtim i detyruar mjekësor për ta

Gjykatat Shqiptare nuk kanë dhënë asnjë dënim plotësues për trajtim mjekësor ndaj personave të dënuar për pedofili në dhjetë vitet e fundit ku mbizotërojnë marrëdhëniet seksuale me te mitur nën 14-vjec me 92 raste dhe veprat e turpshme me 114 raste.

Kjo statistikë konfirmohet edhe nga analiza që MediaLook i ka bërë 151 nga 303 vendime të dhëna përgjatë dekadës së fundit, për krimet seksuale me fëmijët që nuk kanë arritur pjekurinë seksuale (Kliko ketu). Madje, rezulton se vetëm në një çështje, trupi gjykues ka kërkuar ekzaminim psikiatrik nëse autori vuan apo jo nga çrregullimi pedofilik, dhe ky është i vetmi rast nga 151 të tilla kur përmendet fjala “pedofili” në vendimet gjyqësore për këto vepra. Çështje në fjalë i takon procesit të njohur publikisht si gjykimi ndaj “pedofilit të laprakës”, ku nga vlerësimi rezultoi se ai “paraqet rrezikshmëri të lartë për shkak të preferencave seksuale të tij për të miturit”. Por as në këtë rast nuk është vlerësuar i domosdoshëm dënimi plotësues për trajtim mjekësor, pavarësisht se ligji e njeh si opsion (neni 60/11 i K.P).

MediaLook ka kontaktuar edhe Shërbimin Psikiatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila në rrugë zyrtare konfirmon se “numri i pacientëve të trajtuar me vendim gjykate me diagnozë “Pedofili”, për periudhën 2010-2019, është zero”.

Ndërkaq, në tre çështje të tjera kur është kërkuar ekzaminimi psikiatrik nga gjykata, kjo ka qenë për të përcaktuar nëse i pandehuri është apo jo i aftë mendërisht dhe a përjashtohet apo jo nga përgjegjësia penale, pa i kërkuar ekspertizë mjekësore specifikisht për çrregullimin pedofilik.

Ndërsa në një proces të hetuar nga Prokuroria e Vlorës, ajo i është drejtuar për vlerësim një psikologu. Ky i fundit, në argumentimin e tij ka marrë përsipër të japë dhe një vlerësim psikik për të pandehurin. Trupa gjykuese në bazë edhe të këtij ekspertimi ka ndryshuar kualifikimin nga paragrafi i dytë që parashikon një dënim jo më pak se 25 vjet në të parin, duke “i kursyer” të pandehurit të paktën 18-vjet burg. (Shiko Vendimet “Red Flag”)

Të dhënat e mësipërme nxjerrin në pah qasjen problematike që sistemi i drejtësisë ka ndaj pedofilisë, duke sjellë vetëm dënimin dhe ndalimin e përkohshëm të agresorit me tendencë përsëritje por jo trajtimin mjekësor të këtij “çrregullimi parafilik”, që nuk e përjashton abuzuesin nga përgjegjësia penale. Kjo formë gjykimi mbi Pedofilinë bie ndesh me qëllimin e dënimit që është rehabilitimi dhe jo ndëshkimi i të dënuarit.

Abuzimi me të miturit brenda familjes, gjykatat nuk heqin përgjegjësinë prindërore

Ndonëse tendenca e prindërve orientohet drejt mbrojtjes së fëmijës nga personat e panjohur, tipologjia e krimeve seksuale me të mitur në Shqipëri dëshmon se krimet më të rënda ndodhin brenda rrethit të ngushtë familjar, fqinjësor dhe marrëdhënieve miqësore, ku abuzuesit kanë akses më të madh në raport me fëmijën.

Në vëzhgimin e MediaLook rezulton se nga 151 vendime në dhjetë vjet, 60 raste ose 40.5% e abuzimeve vijnë prej komshinjve dhe miqve të familjes. Më së shumti, krimet që kjo kategori kryen lidhet me veprat e turpshme me të miturit me 21 raste, por dhe me marrëdhëniet seksuale me 12 raste, nga të cilat 7 me dhunë. (Te dhena te detajuara)

Ndërkaq kategoria e dytë ku më së shumti ndodhin abuzimet seksuale është brenda rrethit familjar, me 38 vepra penale gjithsej, nga të cilët 16 prej tyre janë kryer mes prindit dhe fëmijës. Sa i takon tipologjisë së krimeve të kryera, mbizotërojnë veprimet e turpshme me 12 raste të ndjekura nga incesti me të mitur me 11 raste, prej të cilave 5 me dhunë.

Ajo që mund të evidentohet si problematike nga arsyetimet në vendimet e gjykatave shqiptare ka të bëjë me faktin se nga 16 krime seksuale prind-fëmijë, vetëm gjykata e Dibrës në vitin 2016, krahas dënimit të babait pedofil me 15 vite burg, ka dhënë një dënim plotësues për heqjen e përgjegjësisë prindërore prej tij. Në 15 çështjet e tjera, përfshi edhe në tre rastet kur babai ka kryer marrëdhënie seksuale me fëmijët e tij të mitur, dhe një rasti kur nëna në bashkëpunim me njerkun kanë abuzuar seksualisht fëmijën, as prokuroria dhe as gjykata nuk ka kërkuar heqje të përgjegjësisë prindërore, si dënim plotësues. Ky fakt sjell që prindërit e dënuar për pedofili vijojnë të ushtrojnë të gjitha të drejtat e tyre ligjore mbi fëmijët e mitur. Problematika është akoma më shqetësuese kur babai ose nëna abuzuese është prind i vetëm i fëmijës.

Ndërkaq, me së shumti rezulton se abuzimet prind-fëmijë nisin që në fëmijërinë e hershme, në grupmoshën 5-9 vjeçare, ndërsa krimet seksuale jashtë lidhjeve familjare janë evidentuar kryesisht me të miturit e moshës 10-14 vjeçare.

Një tjetër kategori që bie në sy në realitetin shqiptar janë lidhjet afektive me të mitur me 20 raste në total prej të cilave 19 kanë përfunduar në kryerje te marrëdhënieve seksuale. Nga analiza e rrethanave të faktit të vendimeve ka rezultuar se 6 çështje i përkasin komunitetit rom.

25% e pedofilëve të konfirmuar si recidivistë, policia në mungesë kapacitetesh për ti mbikëqyrur

Ardian Prrenjasi, i njohur ndryshe nga mediat e kohës në vitin 2013 si “monstra i laprakës”, është rasti më domethënës që vërteton se organet e drejtësisë dhe ato të policisë në Shqipëri, kanë dështuar në raport me trajtimin e rasteve të pedofilisë.

Përpara krimeve të rënda seksuale në Tiranë, Prrenjasi ishte dënuar më herët për të paktën tre vepra të tilla me të mitur, në Shqipëri dhe Greqi.

Në vitin 1994 ai është dënuar me katër vjet burgim për veprën penale të “pederastisë” nga Gjykata e Librazhdit, pasi kishte kryer marrëdhënie homoseksuale me një fëmijë të mitur në qytetin e Prrenjasit. Pasi vuajti dënimin me burgim, ai emigroi në shtetin Grek. Në fare pak kohë ai kreu një tjetër krim me të mitur ku u arrestua për veprën penale “Përdhunim në masë dhe armëmbajtje pa leje”, duke u dënuar me 14 vjet e gjashtë muaj burgim dhe u regjistrua si “person non grata”. Në vitin 2004 Ardiani është rikthyer në Shqipëri në qytetin e Prrenjasit, ku ka jetuar atje deri në vitin 2006, kohë kur ka ardhur në qytetin e Tiranës. Në vitin 2008 ai është dënuar për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” nga Gjykata e Tiranës, pasi mashtroi dhe mbajti peng një të mitur.

Në vitin 2013, Ardian Prrenjasi, kryen një krim shumë më të rëndë seksual me të mitur, dhe dënohet me 25-vjet burg për “Marrëdhënie homoseksuale me të mitur nën 14-vjec” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”.

Nëse gjykatat do të kishin dhënë një dënim plotësues për trajtim mjekësor të Prrenjasit dhe policia do të mbante nën mbikëqyrje, sikurse parashikohet në udhëzimet e ministrisë së brendshme, strukturat parandaluese do të kishin funksionuar dhe krimi i rëndë ndaj të miturit do të ishte shmangur.

Por, rasti i “mostrës së laprakës” nuk është i vetmi. Për shkak të tipologjisë së krimit si një çrregullim mendor parafilik, abuzuesit kanë tendencën që të përsërisin vepra të tilla me të mitur, nëse ata nuk trajtohen.

I tillë ishte rasti i një grabitqari seksual në Pogradec në vitin 2015, i cili ndërsa gjykohej në gjendje të lirë për veprën penale “ngacmim seksual” me një vajzë 13-vjecare, ai kryen vepra të turpshme me tre vajza të tjera të mitura të moshës 9, 10 dhe 11-vjecare dhe ndaj tij nis një tjetër proces gjyqësor paralel.

Sakaq, në 50% të vendimeve të marra në këto dhjetë vite në Shqipëri për veprat penale ndaj të miturve nën 14-vjecare, mbi 25% e pedofilëve janë vërtetuar nga organet hetimore si recidiviste. Ndërsa pjesa tjetër, për sa kohë nuk ka marrë trajtimet mjekësore, duhet konsideruar si kontingjente potencialisht përsëritës.

Kjo do të thotë se 98 pedofilët që kanë rifituar lirinë përbëjnë një kërcënim për fëmijët në lagjet e zonat ku ata banojnë, ndaj dhe gjurmimi dhe forca parandaluese e policisë duhet të jetë maksimale.

Por a ka kapacitete reale Policia e Shtetit për të zbuluar apo parandaluar përsëritjen e këtyre veprave?

Nga proceset e kësaj dekade rezulton se në vetëm 3.3 % të rasteve nga 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14-vjec janë zbuluar nga strukturat shtetërore. Prej këtyre policia ka gjurmuar vetëm një rast, katër të tjerë janë pikasur në shkolla, nga të cilët dy nga psikologët dhe dy nga stafet pedagogjike. Pjesa tjetër e kallëzimeve kanë qenë ose denoncime të viktimave ose të

Megjithatë, MediaLook është njohur dhe ka lexuar një urdhër të fundit të kufizuar të Ministrit të Brendshëm, që mban datën 25.11.2019, i cili përcakton rregullat e përpunimit të informacionit policor por dhe administrimin e dokumenteve për gjurmimin e personave që sapo kanë dalë nga burgu.

Sikurse parashikohet në këtë material voluminoz, për çdo të liruar nga burgu hapet e ashtuquajtura “dosja e precedentit kriminal” dhe, në rastin e pedofilëve, ngarkohen oficerët e Seksionit Kundër Dhunës në Familje dhe Fëmijëve për ti mbajtur ata nën mbikëqyrje për rreth 5-10 vite, që i referohet rehabilitimit në nenin 69 Kodit Penal. Pas tejkalimit të këtij afati, informacioni mbi to ruhet dhe dhjetë vjet të tjera në kartotekë. Gjithashtu, udhëzimi parashikon që të dhënat për personin që ka kryer dënimin, përfshi pedofilët, hidhen dhe në sistemin informativ MEMEX, që aksesohet nga punonjës të autorizuar të policisë. Hapja e dosjes kriminale të mbikëqyrjes bëhet dhe për shtetas shqiptarë të dënuar jashtë shtetit, në momentin që hyn në Shqipëri, çka do të thotë se policia zotëron informacion dhe për pedofilë që kanë kryer jashtë krimet seksuale me të mitur.

Por pavarësisht këtij urdhri, burime pranë Drejtorive Vendorë të Policisë në Tiranë dhe rrethe bëjnë me dije për Medialook se objektivisht është e pamundur që të kryhet kjo mbikëqyrje për pedofilët, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore. Vetëm në kryeqytet Seksioni i Dhunës në Familje dhe Fëmijëve ka në dispozicion 2 oficerë të cilët duhet të mbikëqyrin 48 pedofilë. Ndërkaq në Durrës është një oficer, ndërsa në Vlorë e Fier pjesë e kësaj strukture vendore janë dy efektivë. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se punonjësit e këtij seksioni krahas krimeve seksuale janë njëherësh të ngarkuar për hetimin e rasteve të tjera kriminale, përfshi parandalimin, gjurmimin dhe ndjekjen e precedentit kriminal.

Vështirësi në gjurmimin dhe dënimin e pedofilëve online, Hazizaj: S’ka infrastrukturë, të ndryshohet Kodi Penal

Në mars të 2019-ës Observatori Botëror Kundër Pedofilisë, pjesë e Shoqatës “Meter” që operon prej vitit 1989 në Itali, publikoi raportin vjetor për vitin 2018 në të cilin evidentonte se sistemi i saj kompjuterik kishte gjurmuar 302 raste të fotove, linkeve apo videove me përmbajte pedofilie që vinin nga domainet “.al” të Shqipërisë.

Kjo ishte një rritje me 27 herë krahasuar me rastet që i njëjti sistem gjurmoi gjatë vitit 2017, duke bërë që Shqipëria të renditej vendi i tretë në Europë pas Ishullit Guernsey në Mbretërinë e Bashkuar me 1108 raportime nga domain “.gg” dhe Francës me 702 raste nga domain “.fr”. Ndërkohë që në nivel botëror Shqipëria listohej në vendin e tetë për nga numri i rasteve.

Duke e marrë këtë raport si një indicie të rëndësishme, MediaLook kontaktoi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përgjegjëse për shitjen e domaineve “.al” kundrejt palëve të tjera. Në përgjigje të interesimit tonë AKEP tha se “përgjatë periudhës 2010-2019 nuk është konstatuar faqe me domain në zonën .al me përmbajtje pornografie ose materiale të dëmshme me të mitur.

Sakaq, agjencitë apo organet e tjera hetimore në Shqipëri, mbajtën një qëndrim më pak optimist në raport me krimet seksuale me të mitur dhe përmbajtjet e ndaluara në internet.

Prokuroria e përgjithshme bën me dije se gjatë pesë vjetëve të fundit, Janar 2014- Qershor 2019, nga një numër i konsiderueshëm referimesh për nenin 117 të Pornografisë ku klasifikohen edhe çështjet e krimeve seksuale me të mitur, kanë nisur hetimet për 128 raste, nga të cilat 12 janë pushuar dhe vetëm dy janë dërguar në gjyq. Këto të fundit kanë përfunduar me një vendim dënimi.

Kjo do të thotë se vetëm 1.56% e çështjeve kanë rezultuar me identifikimin dhe dënimin e autorit, një shifër tepër e ulët kjo që dëshmon vështirësitë që agjencitë e krimeve online po hasin përballe këtyre krimeve në linjë.

Burime pranë Prokurorisë së Tiranës i kanë thënë MediaLook se numri i ulët i hetimeve të nisura lidhet me faktin se shpesh herë materiali i referuar nga ana e policisë nuk ka të dhëna dhe prova të mjaftueshme për të filluar një procedim penal. Madje dhe në një prej dy çështjeve që përfundoi me dënimin e autorit për pedofili online, Sektori për Krimin Kompjuterik kishte marrë informacione të detajuara nga zyra e Interpolit në Gjermani.

Ndërkohë Departamenti i Policisë kriminale, Sektori i Hetimit të Krimit Kompjuterik si pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës dhe Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike nuk i janë përgjigjur pesë kërkesave zyrtare për informacion të dërguara në lidhje me këtë çështje.

Departamentit i Policisë Kriminale nuk ka kthyer përgjigje as për referimet që organet shqiptare të hetimit kanë marrë nga Zyra Qendrore e Interpolit, ndonëse këtë kërkese e dërgonte për kompetencë edhe Zyra Kombëtare e Interpol Tirana pas interesimit të MediaLook.

Por pavarësisht këtij refuzimi, burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë bëjnë me dije se uniformat blu hasin vështirësi në këto lloj krimesh online. E para, për shkak se Sektori i Krimit Kompjuterik ka burime njerëzore të kualifikuara tepër të kufizuara përballë një fluksi të madh rastesh, dhe, së dyti, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e referimeve në sistemin ICSE të Interpolit janë dhe foto apo video me të mitur që ngarkohen në rrjetet sociale në Shqipëri nga familjarët e tyre. Ky volum përmbajtjesh me të mitur që postohen vetë online vështirëson punën e ekspertëve.

Ndërkaq Drejtuesi i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, tha për MediaLook se “problemi kryesor me gjurmimin dhe hetimin e këtyre rasteve lidhet me mungesën e teknologjisë së duhur për krimet seksuale në internet nga Sektori i Krimit Kompjuterik në Policinë e Shtetit. Sipas tij, këto mjete janë themelore pasi sot pjesa me madhe e këtyre veprave fillimin e kanë online, pasi aty pjesa më e madhe e fëmijëve nuk e kanë kontrollin prindëror, që janë një hallkë parandaluese.

Krahas kësaj, Hazizaj ngre shqetësimin se Shqipëria është e papërgatitur ligjërisht për t’iu përgjigjur realitetit të veprave penale online të cilat drejtësia i përmbledh të gjitha në Nenin 117 – Pornografia. Sipas Drejtuesit të CRCA-së, ka një sërë fenomenesh si shkëmbimi i mesazheve me natyrë seksuale online, që në botë njihet si Sexting, apo fenomeni “grooming”, që nuk adresohen fare në Kodin Penal aktual.

A duhet një qasje e re për pedofilinë?

Agjencia Shtetërore Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, institucioni më i rëndësishëm parandalues, koordinues dhe kontrollues i gjithë strukturave të mbrojtjes për fëmijët në nivel kombëtar, nuk i është përgjigjur interesimit të MediaLook për mangësitë apo problematikat që ajo ka evidentuar në këto organizma, që nga fillimi i operimit të saj.

Por prej këtij institucioni bëhet me dije se “për periudhën Janar 2019- Shtator 2019 janë konstatuar  23 raste të abuzimit apo bullizmit online të fëmijëve në formën e videove që qarkullojnë në rrjetet sociale”. Sipas ASHDMF-së rastet janë identifikuar prej saj, nga Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116 111. Të 23 çështjet janë referuar pranë strukturave të policisë për hetimin dhe bllokimin e këtyre faqeve. Ndërsa Avokati i Popullit njofton se ka ndjekur procedurat për rastet e hetuara nga Policia deri në momentin e referimit të tyre në Prokurori.

Megjithëse strukturat nuk mungojnë, nga analiza e vendimeve në dhjetë vjetët e fundit doli në pah se në vetëm 5 nga 151 raste me vendim dënimi ky zinxhir kishte rezultuar i suksesshëm, me 4 raportime nga psikologet e mësuesit në shkolla dhe vetëm një çështje e gjurmuar nga policia.

Ndoshta ka ardhur kohë për një qasje të re ndaj kësaj problematike, duke filluar që nga ndryshimet në Kodin Penal e deri te një këndvështrim i ri i sistemit gjyqësor në mënyrë që mos te vihet theksi vetëm te dënimi i përkohshëm i abuzuesve por dhe te rehabilitimi i tyre. Gjithashtu nevojitet një transformim i filozofisë së strukturave shtetërore që mos presin dhe ofrojnë vetëm ndihmë për fëmijët viktima, por të adresojnë në gjeneze për parandalimin e kësaj problematike.

Në këtë pikëpamje, një praktikë e mirë vjen dhe nga Gjermania me të ashtuquajturin “Projekti Dunkenfeld” i cili funksionon prej vitit 2005 dhe që merret me trajtimin mjekësor falas për pedofilët, që vetëkërkojnë ndihmë.

Kjo iniciativë ka sjellë dy risi të mëdha: Së pari në trajtimin, identifikimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të personave të sëmurë nga çrregullimet e pedofilisë, dhe, së dyti, reduktimin e rasteve dhe ndihmën ndaj fëmijëve përmes mbajtjes në kontroll të pedofilëve.

Shënim: Investigimi i Qendrës Shqiptare MediLook është kryer:

Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Paqe ka kur nuk i hidhet benzinë zjarrit politik

Nga Skënder Minxhozi Ilir Meta ka bërë një konstatim të drejtë në orët e fundit. Ka vërejtur se tek ne, përkundër Maqedonisë së Veriut, ka...

A duhej të jepte dorëheqjen Thaçi pas publikimit të aktakuzës? Përgjigjet Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth ftesës që Gjykata Speciale i ka çuar presidentit Thaçi, për t’u paraqitur në Hagë. Kujtojmë se Haradinaj...

Durrës/ Përfshihen nga flakët 3 shtëpi të vjetra

Së fundmi, 3 shtëpi të vjetra janë përfshirë nga flakët në lagjen 5 të qytetit të Durrësit. Zjarrfikëset kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe...

Kryeministri 61-vjeçar ndërron jetë pak pas mbledhjes së qeverisë

Kryeministri i Bregut të Fildishtë, Amadou Gon Coulibaly, ka ndërruar jetë sot pak minuta pasi kishte përfunduar një mbledhje të kabinetit qeveritar. Presidenti i vendit,...

Vazhdojnë tubimet e qytetarëve në Beograd dhe disa qytete të tjera të Serbisë

Pavarësisht ndalimit të tubimeve të mëdha në Beograd, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, protestuesit janë mbledhur për të tretën natë me...