Politikë

Dosja/‘Pse pushuam pastrimin e parave për Bashën, garancia që kërkoi Nik Muzin’


               Publikuar në : 19:23 - 09/11/19 M S

“News24” zbardh të plotë dosjen penale ndaj shefit të opozitës, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, të cilët janë marrë zyrtarisht të pandehur për akuzën e falsifikimit të formularëve. Përderisa nuk kanë deklaruar një shumë të majme parash, të përdorur për lidhjen e kontratave të lobimit më Shtetet e Bashkuata të Amerikës.

Të premten, Lulzim Basha deklaroi se u rrëzua 90 % e akuzës false e prokurorisë së kontrolluar nga Edi Rama, ndërsa 10 % tjetër do ta shkatërronin në gjykatë.

Kjo nisur nga fakti se prokuroria vendosi të pushojë akuzën më të rëndë, atë të pastrimit të parave. Dhe ti dërgojë për gjykim vetëm për falsifikim formularësh, një vendimmarrje kjo që shkaktoi përplasje të forta në grupin e tre prokurorëve. Ku në finale, njëri prej tyre refuzoi të firmoste përfundimin e hetimeve.

Por si e argumentojnë pushimin e akuzës së pastrimit të parave, dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako?

Referuar dokumentit të prokurorisë, rezulton se kompania e Nik Muzin kishte marrë tri pagesa në shumën e 650 mijë dollarëve për punën e bërë në favor të Partisë Demokratike. Njëra nga pagesat është kryer nga kompania ‘Biniata Trade’, e regjistruar në ishujt Belize, pas së cilës janë dy shtetas rus.

Prokurorët thonë se për të qenë përpara veprës penale të pastrimit të parave, duhet që një person të ketë kryer një vepër penale. Nga e cila siguron të ardhura, të cilat më pas i vë në qarkullim, duke fshehur të ardhurat që burojnë nga krimi. Në kushtet kur nuk ka vepër penale, prej nga të rrjedhin të ardhura, prokurorët thonë se nuk qëndron vepra e pastrimit të parave.

Një tjetër argument që rendisin prokurorët është edhe kërkesa e lobistit Nik Muzin, bërë përpara autoriteteve amerikane, i cili pretendon garanci të plotë që nuk do të dënohet në Shqipëri. Dhe në këmbim shpreh dakordësinë të japë dëshminë e tij.

Prokurorët thonë se duke ngritur këtë akuzë, mund të bëheshin pengesë për marrjen e dëshmisë së Nik Muzin. “Nga korrespondenca e bërë me autoritetet e ndjekjes penale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rezulton se shtetasi amerikan Nikolas Muzin ka vendosur që të flasë për këtë çështje penale. Pra lobimin e kryer. Autoritetet amerikane i kanë dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht ky shtetas. Në rast se jep deklarime për të zbardhur ngjarjen. Prokuroria Amerikane ka komunikuar me prokurorinë ku përcjell kërkesën e Nikolas Muzin, për të mos patur përgjegjësi penale në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këmbim të dhënies së dëshmisë së tij me çështjen objekt hetimi me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes”.

Prokurorët thonë se institucioni i ndjekës penale është i interesuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dhe për të mos u bërë pengesë për deklarimin e shtetasit amerikan Nikolas Muzin, vendosën të pushojnë akuzën. Sikurse parashikohet nga Konventa e firmosur mes dy shteteve në 1933, respektivisht nga Mbreti Zog dhe presidenti Franklin D. Roosevelt.

Më tej ata argumentojnë se nuk ekziston vepra penale e pastrimit të parave. Edhe për faktin se pagesat e kryera për të bërë takime dhe foto me zyrtarë të rëndësishëm të shtetit amerikan, janë një produkt, që nuk gjenerojnë të ardhura që rrjedhin nga vepra penale. Në përfundim, prokurorët thonë se është kompetencë ekskluzive e tyre, për të ndryshuar apo saktësuar akuzën deri në fazën e dhënies së konkluzioneve përfundimtare. /BalkanWeb

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT