Dorëzoi detyrën e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj mesazh Ramës

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka dorëzuar detyrën ministres Olta Xhaçka. Ai ka shprehur falenderimet ndaj kryeministrit Edi Rama, për mbështetjen në këtë detyrë, duke thënë se pa të do kishte qenë e pamundur.  Cakaj tha ndër të tjera se edhe pandemia ka ndikuar në punën e diplomacisë, teksa kanë punuar në rrethana shumë të vështira.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot kam nderin e posaçëm t’ia dorëzoj formalisht detyrën në Ministrinë e Jashtme. Kryeministri më ka mbështetur gjatë gjithë kohës kur kam qenë në detyrë, dhe ne kemi marrë masat e nevojshme të kemi një vazhdimësi.

E ndjej detyrim moral të falënderoj kryeministrin, për mbështetjen që më ka dhënë. Duke e konsideruar misionin tim të përmbushur, them se pa mbështetjen e kryeministrit, misioni im do kishte qenë i pamundur. Edhe pandemia ka ndikuar në punën e diplomacisë. Kemi punuar në rrethana shumë të vështira!

Këtë falënderim s’po e bëj se e kërkon kodi formal i mirësjelljes, por se e ndjej. S’kam fjalë të falënderoj Ramën për këtë rrugëtim. Falenderoj dhe Xhaçkën. Jam pafundësisht që Xhaçka do ti prijë konferencës së parë ndërqeveritare. Kryeministri në cilësinë e ministrit të Jashtëm, ka bërë përfaqësimin më dinjitoz të mundshëm në kuadër të kryesisë shqiptare të OSBE”, përfundoi Cakaj.