Mëngjesin e sotëm Valbona Sako dha dorëheqjen nga posti i saj si kryetare e Bashkisë Durrës.
Vendimi për largimin e saj erdhi si pasojë e një deklarate absurde nga ana e saj, në lidhje me viktimat e tërmetit.
“Për hir të së vërtetës duhet ta themi që ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por që jemi të kënaqur me 50 viktima, sepse në rastet e tjera kanë qenë mbi 1000 viktima”, u shpreh ajo për Top Channel.
Ndërkohë i pyetur nga gazetarët në lidhje me vendimin e saj për dorëheqje, kryeministri Rama ka refuzuar të japë ndonjë koment. Por ai vendosi që ta fokusojë përgjigjen e tij tek situata pas tërmetit.
“Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanët, pasi njerëzit janë të tmerruar. Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim. Janë ekrane ku jepen kronika sikur në çdo shtëpi ka rënë bomba. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që; a janë prekur apo jo kolonat? Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve”, tha ai.
Ndërkohë është vendosur edhe se kush do ta zëvendësojë Valbona Sakon në postin e kryetarit të Bashkisë Durrës. Këshilli Bashkiak ka vendosur disa momente më parë që në krye të këtij posti të jetë Zhylien Varfi.