Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur Konferencën e Donatorëve, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro për fazën e rindërtimit pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.
I ftuar në emisionin “Open”, Meta u shpreh se donacionet në Bruksel ishin mbështetje për popullin shqiptar. Sa i përket kryeministrit Rama, ai tha se është gati të duartrokasë për të gjitha punët e mira që qeveria e tij ka bërë.
Kreu i Shtetit theksoi se Rama ka për detyrë t’i çojë fondet e mbledhura tek qytetarët e prekur nga tërmeti.
“Nuk kam asnjë koment vetëm një duartrokitje për vendet që mbështetën sot Shqipërinë. Të punohet që këto euro të shkojnë për qytetarët në nevojë dhe të mbyllet kjo dramë. Unë mendoj se kjo është një mbështetje ndaj popullit shqiptar dhe Rama e ka për detyrë që këto fonde të shkojnë tek qytetarët. SHBA gjithë fondin e saj e çoi për transparencën. Nuk më intereson, më intereson se këto ndihma të shkojnë tek qytetarët shqiptarë. Pastaj këto janë për analizë të forcave politikë.
Jam gati të duartrokas për kryeministrin dhe qeverinë për çdo punë të mirë që kanë bërë. Aty bënë thirrje për transparencë sepse ato fonde janë për popullin shqiptar, as për Presidentin as për kryeministrin. Është bërë një punë e madhe në këtë drejtim dhe nuk kam pse të jem ironik për diçka që e besoj”, tha ai.