E shtunë, 27 Shkurt, 2021
4 C
Tirana

“Dokumenti i rrallë”, si e tradhtuan serbët Isa Boletinin

Nga Edith Durham

Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri.

E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb. Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër. Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë.

Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës.

Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë. Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne.

Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit. Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht. Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve.

Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët. Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani. Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale.

Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese.

Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë.

Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës. Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes myslimanëve.

Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi. Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë. Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës. Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë. Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë dhe vrasjeve./FMimages.net

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Studimi: Një dozë e vetme e vaksinës së Pfizerit ul transmetimin e virusit

Tre studime të reja britanike tregojnë se vaksina kundër COVID-19-s e kompanive Pfizer-BioNTech, e cila merret me dy doza, zvogëlon transmetimin e virusit pas...

Sa ndihmojnë vaksinat kineze për rritjen e influencës së Pekinit në Ballkan?

Në një kohë kur shumë vende kanë vështirësi për të siguruar doza të mjaftueshme vaksinash për koronavirusin, Kina ka shtuar përpjekjet për të shpërndarë...

Koronavirusi, Tomini: Dy fëmijë ndodhen në terapi intensive

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini ka folur për situatën me Covid-19 në spitalet që trajtojnë koronavirusin në vendin tonë. Në një lidhje direkte me...

Epidemiologu Alimehmeti: Të saktësohen sa teste e tampone bëhen në ditë

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka folur për situtën e pandemisë në vendin tonë, ku është shprehur se është ende herët për të folur për një...

Rakacolli: Të hënën vijnë 15 mijë doza të vaksinës së Pfizer

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se të hënën do të vijnë në Shqipëri 15 mijë doza të vaksinës së Pfizer. Ajo tha në Report...