Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u fituan nga Partia Socialiste, e cila do të qeverisë e sërish e vetme në 4 vitet e ardhshme pasi siguroi 74 mandate.
Ndërkohë, Partia Demorkatike mori 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate, dhe Partia Social Demokrate e Tom Doshit, 3 mandate.
Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin ditën e djeshme, opozita vijon të insistojë në faktin se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Në një intervistë për ”Top Channel”, kandidati fitues nga PD për Lezhën, Agron Gjekmarkaj konfirmoi faktin se deputetët do të hyjnë në Parlament në legjislaturën e ardhshme.
Ai u shpreh se do të bëjë gjithçka për ta mërzitur kryeministrin Edi Rama në sallën plenare, si dhe shtoi se opozita duhet të përgatitet për protesta kundër blerjes së votës.
Agron Gjekmarkaj: ”Do bëj gjithçka që kryeministri të mërzitet. Në mënyrë që këto të jenë vërtet të kombinuara të jenë bindëse por mendoj se shumë shpejt demokratët dhe qytetarët do të jenë kudo për tu përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona. Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh.
Këto zgjedhje nuk janë fituar se janë vjedhur. A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike më saktë inxhinjerike fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë tek të gjithë. Por nuk mendoj se lidershipi i Zotit Basha vihet në diskutim. Tani nuk është koha të mos krijojë probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen, sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike.”