Presidenti Meta nuk ka të ndalur me përcjelljen e mesazheve të koduara. Ai çdo ditë e më shumë po bëhet aktiv në rrjetet sociale, e po kështu edhe zëdhënësi i tij janë në sinkron me njëri-tjetrin duke shënjestruar personazhe nga Partia Socialiste, hera-herës edhe me epitete. Kreu i Shtetit është zgjuar sot me një dëshirë për të peshkuar. Ai ka shkuar pranë detit për të kapur peshk, e pranë tij ndodhet aktori i humorit, Bes Kallaku.
“Mirëmëngjes! Me Bes Kallakun, e nisëm për peshk e po kapim dallgë”, shkruan ai bashkëngjitur fotos në fjalë. Gushti ka qenë intensiv për Presidentin, pasi ngjiti malin e Korabit, ndërsa shtatorin po e shfrytëzon buzë detit.
Por edhe klima politike këto ditë nuk ka qënë aspak e qetë për Kreun e Shtetit. Pak ditë më parë, Meta dëshmoi para Komisionit Hetimor për të sqaruar se përse shtyu datën e zgjedhjeve. Po këtë javë në Tiranë mbërritën edhe anëtarët e Komisionit të Venecias, të cilët do të analizojnë veprimet e Presidentit nëse ky i fundit ka shkelur apo jo Kushtetutën.
Tre ditë më parë, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka folur në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, iniciativë e marrë kjo nga maxhoranca. Në një intervistë për “News 24”, Kryemadhi u shpreh se kjo gjë nuk është fare në agjendën e saj apo të LSI-së.
E pyetur nëse Komisioni Hetimor do të marrë vendimin ekstrem për ta shkarkuar Presidentin, Kryemadhi shtoi se Meta është një makineri politike, që është shumë e vështirë për ta ndalur. “Besoj se z. Meta i ka kapacitetet e veta për tu përballur politikisht, dhe di të them që është një makineri politike që është shumë e vështirë për ta ndalur” , tha Kryemadhi.