“Do përfundoni si policët e Mubarakut”/ Meta: Përpjekje për grusht shteti

Presidenti i Republikës Ilir Meta është përfshirë sot në një përplasje fizike tek zyrat e Frymës së Re Demokratike, atje ku policia bashkiake ka kërkuar që prej paradites që të zbrazen zyrat e saj.

Në një prononcim për mediat, ai e konsideroi verpimin e sotëm të policisë një përpjekje për grusht shteti. Sipas tij, shkresa e dërguar nga bashkia për lirimin e zyrave nuk ka as vulë, as emër titullari, as numër protokolli dhe është bërë për të dhunuar çdo forcë opozitare.

Ndër të tjera, Kreu i Shtetit e cilësoi bashkinë e Tiranës një bandë dhe i bëri thirrje opozitës që të zgjohet.

Ilir Meta: “E konsideroj si një përpjekje për të realizuar një grusht shteti sepse t’i sjellësh një partie zyrtare, opozitare menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me PD dhe partitë e opozitës, për të marrë pjesë në zgjedhje, t’i sjellësh një shkresë të tillë që nuk ka as vulë, që nuk ka as emër titullari që të mbajë nesër përgjegjësi nesër, që nuk ka as numër protokolli, të bërë me vrap e nxitim vetëm për të dhunuar fizikisht, por edhe psikologjikisht çdo forcë opozitare e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhja, duke keqpërdorur bashkinë bandë, padyshim që është tepër irrituese dhe është një paralajmërim për qytetarët shqiptarë për përpjekjet mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mbi procesin zgjedhor me garanci dhe integritet.

I bëj thirrje gjithë opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë asnjë prekje të rregullave të garës sepse do të jetë vonë për jo për popullin shqiptar në rast se do vijojë të tolerojë sjelljet e partisë bandë”.