Kampionati Evropian , Euro 2020 që në fakt do të mbahet në verën e ardhme të 2021-it, mund të mos zhvillohet ashtu siç u planifikua, në 12 shtete.
Eventi që dukej si një ngjarje interesante deri një vit më parë, është kthyer gjithnjë e më shumë në një telash për organizatorët, për shkak të pandemisë COVID-19.
UEFA insiston se plani vazhdon si normalisht, por ndërkaq, kanë filluar bisedimet konkrete për zhvillimin e aktivitetit në një shtet të vetem apo dy.
Udhëtimi nëpër Europë është thuajse plotësisht i bllokuar për shkak të valës së dytë që ka goditur kontinentin dhe që parashikohet të përkeqësohet në muajt në vijim.
Kjo ka bërë që UEFA të rishikojë planet e saj pasi lëvizjet e kufizuara apo karantinimi i skuadarve dhe pjesëtarëve të numërt të stafeve përkatëse, do të bënin thuajse të pamundur zhvillimin normal të sfidave nëse situata me pandeminë nuk ndryshon shumë shpejt.
Sipas “Daily Mail”, që tani kanë nisur bisedimet me Anglinë, për të zhvilluar aty të gjitha ndeshjet e këtij turneu, duke shfrytëzuar impiantet e cilësisë së lartë që ka në këtë vend. Atyre mund t’u bashkohen edhe 2-3 impiante në Skoci e Uells.