Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria, edhe nëse SPAK do ta thërrasë në pyetje, për dosjet e Gërdecit dhe 21 janarit. Deklarata e Berishës u bë mbrëmjen e sotme në emisionin ”Zonë e Lirë” në Tv Klan.
Berisha u shpreh se kundërshtarët e tij politikë kanë hedhur sulme ndaj tij, por nuk kanë asnjë provë që mund ta implikojë.
Teksa drejtuesi i emisionit Arian Çani, i kujtoi rastin e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski i cili u arratis nga vendi, Berisha tha se nuk është fajtor, ndaj nuk do ta bëjë diçka të tillë.
Pjesë nga biseda
Arian Çani: Nëse të thërret SPAK.
Sali Berisha: Lë të më thërrasë 1000 herë.
Arian Çani: Do paraqitesh?
Sali Berisha: Absolutisht. Kundërshtarët kanë hedhur bomba kundër meje, kanë hedhur breshëri kundër meje. Në 99-ën u mblodhën gazetarët edhe thanë që ky ka përdorur krime kundër njerëzimit. Nëse do gjeni një shkelje ligjore tek unë….nuk e di… Edi Rama ka bërë hetime ditë e natë mbi veprimtarinë time dhe nuk ka gjetur asnjë gjë të vetme. 1000 herë t’i hapin dhe të më hetojnë.
Arian Çani: Nëse do ketë padi penale, a të ka shkuar në mendje të largohesh nga vendi?
Sali Berisha: Kurrë as më ka shkuar në mendje qoftë edhe në një të njëmijtën e sekondës të largohem nga vendi. Unë nuk i pëlqeja disidentët që iknin.
Arian Çani: Rasti Gruevski?
Sali Berisha: Fajtor. Pse do ikësh. Ikja nuk ekziston te unë. Kurrë. Nuk ka imunitet për Sali Bërishën. E kam për nder që kam hequr në vitin 2012 imunitetin për korrupsionin. Nuk ka parashkrim për Sali Berishën.