Do largohesh nëse PS humbet? Rama: Ne kemi shprehje për hallën dhe xhaxhain

Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme gjatë një interviste në “One tv Vlora”, për investimet në qytetin bregdetar, projektet si dhe aktualitetin politik.

Rama u shpreh i bindur për fitoren më 25 prill teksa pyetjes nëse do largohet si kryetar i PS nëse humbet zgjedhjet iu përgjigj me shprehjen e famshme shqiptare.

“Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse… Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet”, – tha kryeministri.

I pyetur për bilancin e mandatit të dytë, Rama tha se ai është një mandat i goditur në mes nga tërmeti dhe pandemia.

“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithsesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandat është mandat që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër. Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh”,– tha Rama.

Duke komentuar kandidatët e PD dhe LSI, Edi Rama tha se sheh vetëm një ekip me katër vetë.

“Unë shoh vetëm Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe Monikën. Të tjerët nuk i shoh si ekip por si mbushësa topi”, tha Rama.