Ish-presidenti Rexhep Meidani, ka reaguar lidhur me djegien e mandateve nga opozita, duke thënë se një vendim i tillë është një veprim “in extremis”.
Sipas tij, klasa politike duhet të mblidhet dhe të diskutojë për zgjidhjen e krizës në vend.
“Teorikisht jam pro për t’u mbledhur kjo klasë politike dhe për ta diskutuar zgjidhjen e krizës. Mirëpo, praktikisht kjo varet nga klasa politike. Ndërsa, për djegien e mandateve nga opozita, mendoj se është vendim in-exremis. Nuk duhet futur fitili në zjarr. Zgjidhja është në tavolinë. Palët duhet të ulen”, u shpreh ish-kreu i shtetit shqiptar Meidani.
Pas djegies së mandateve, opozita e bashkuar vijon me protestat para godinës së parlamentit, sa herë ka seancë plenare, ndërkohë ka njoftuar për një protestë masive më 13 prill, për të cilën kryedemokrati Lulzim Basha u ka kërkuar ish-deputetëve dhe Kryesisë që të intensifikojnë takimet me qytetarët.