E hënë, 16 Maj, 2022
25.5 C
Tirana

Djali i Gaddafit shpall kandidaturën për president të Libisë

Djali dhe trashëgimtari i diktatorit të ndjerë libian, Muammar Gaddafi, ka shpallur kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vendit muajin e ardhshëm, ka thënë agjencia zgjedhore e Libisë.

Seif al-Islam, i cili kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për akuzat për krime kundër njerëzimit, lidhur me kryengritjen e vitit 2011, dorëzoi dokumentet e tij të kandidaturës në qytetin jugor të Sabha, 650 kilometra në jug të kryeqytetit të Tripolit.

Djali i Gaddafit u kap nga luftëtarët në qytetin Zintan në fund të vitit 2011, vit kur një kryengritje popullore, e mbështetur nga NATO, rrëzoi babanë e tij pas më shumë se 40 vitesh në pushtet. Moammar Gaddafi u vra në tetor 2011, në mes të luftimeve që do të ktheheshin në një luftë civile.

Në një video të shpërndarë nga një zyrtar zgjedhor, Seif al-Islam iu drejtua kamerës duke thënë se Zoti do të vendosë rrugën e duhur për të ardhmen e vendit. 49-vjeçari, i cili fitoi një doktoraturë në Shkollën Ekonomike të Londrës, kishte veshur një mantel tradicional libian, çallmë dhe syze. Ishte hera e parë në shumë vite, që ai shfaqej në publik.

Prej shumë vitesh, ai shihej si fytyra reformiste e regjimit të Gaddafit përpara kryengritjes së 2011-ës. Ai u lirua në qershor 2017, pas më shumë se pesë vitesh paraburgim. Këtë korrik, ai i tha “New York Times”, në një intervistë ekskluzive se po konsideronte një kandidim për zyrën e lartë të vendit. Kandidatura e tij ka të ngjarë të ngjall polemika në të gjithë vendin e ndarë.

Seif al-Islam kërkohet nga ICC me akuzat për krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë kryer në javët e para të kryengritjes së vitit 2011. Zëdhënësi i ICC-së Fadi El Abdallah, nuk pranoi të komentojë mbi kandidaturën e Seif al-Islam.

“Gjykata nuk komenton çështje politike. Sa i përket anës ligjore, ka një urdhër arresti në pritje dhe kjo nuk ka ndryshuar”, tha ai.

Djali i Gaddafit, i cili ka lidhje të rrënjosura thellë me fiset anembanë Libisë, është kandidati i parë presidencial, që ka paraqitur kandidaturën e tij për të kandiduar për postin më të lartë të vendit. Gjithashtu pritet gjerësisht të shpallin ofertat e tyre; komandanti i fuqishëm ushtarak Khalifa Hifter, kryetarja e parlamentit Agila Saleh dhe ish-ministri i brendshëm Fathi Bashaga.

Fushata e Seif al-Islam mund të fokusohet në dështimin e partive politike dhe grupeve të armatosura, për të krijuar një qeveri të aftë për të stabilizuar dhe bashkuar vendin e copëtuar që nga përmbysja dhe vrasja e babait të tij në vitin 2011. Megjithatë, ai ka shumë të ngjarë të përballet me rezistencë të ashpër nga grupet e armatosura dhe milicitë, veçanërisht në kryeqytetin Tripoli, dhe qytetin perëndimor të Misrata.

Abdel-Rahman el-Swahili, një ligjvënës nga Misrata, shprehu refuzimin e tij ndaj kandidaturës së Seif al-Islam, duke thënë se djali i Gaddafit duhet të ndiqet penalisht, jo të kandidojë për president.

Libia do të mbajë zgjedhjet presidenciale më 24 dhjetor, pas vitesh përpjekjesh të udhëhequra nga OKB, për të sjellë një të ardhme më demokratike dhe për t’i dhënë fund luftës së vendit. Pas përmbysjes dhe vrasjes së Gaddafit, Libia e pasur me naftë kaloi pjesën më të madhe të dekadës së kaluar e ndarë midis qeverive rivale – njëra me bazë në kryeqytetin Tripoli, dhe tjetra në pjesën lindore të vendit.

Njoftimi i kandidaturës së Seif al-Islam erdhi të premten, ku shprehu mbështetjen për mbajtjen e “zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme” më 24 dhjetor.

Votimi i shumëpritur ende përballet me sfida, duke përfshirë çështje të pazgjidhura në lidhje me ligjet që rregullojnë zgjedhjet, dhe luftime të herëpashershme midis grupeve të armatosura. Pengesa të tjera përfshijnë përçarjen e thellë që mbetet midis lindjes dhe perëndimit të vendit, të ndarë prej vitesh nga lufta dhe prania e mijëra luftëtarëve dhe trupave të huaja.

Diktatori Gaddafi kishte tetë fëmijë, shumica e të cilëve luajtën role të rëndësishme në regjimin e tij. Djali i tij Muatassim u vra në të njëjtën kohë kur Gaddafi u kap dhe u vra.

Dy djem të tjerë, Seif al-Arab dhe Khamis, u vranë më herët në kryengritje. Një djalë tjetër, al-Saadi Gaddafi, u lirua në shtator pas më shumë se shtatë vjet burgimi në kryeqytetin e Tripolit.

Burimi i lajmit: stuff.co.nz. Përshtatur nga Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Strategjia detare 2035

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ Shqipëria jonë është e bekuar me mbi 450 km vijë bregdetare, ndërsa hapësira e interesave detare (det i brendshëm dhe territorial)...

Deklaratat për SPAK/ Hajdari: Politika të qëndrojë larg drejtësisë, “peshqit e mëdhenj” janë në rrjetë

Në daljet e fundit për mediat, kryeministri Rama është shprehur se po pret me padurim që SPAK-u të godasë nga të katër anët. Duket...

Plagoset ish kandidati për kreun e PS-së, ngjarja në lokalin e reperit të njohur

Ish-kandidati për kreun e Partisë Socialiste në Durrës, Ardit Kërtusha, është plagosur me armë zjarri mesditën e sotme. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në...

Gazeta austriake zbulon skandalin e madh, stafi i Metës vihet në lëvizje. Ja çfarë do ndodhë

Presidenca ka reaguar pas artikullit në gazetën austriake "Kronen Zeitung", duke i cilësuar si shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara. Reagimi është përcjellë nga ana...

SPAK mes PD dhe PS

Dikur PD e drejtuar nga Lulzim Basha nuk besonte te SPAK, por më pas jo vetëm depozitoi disa denoncime por kërkoi i pari që...