Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është vaksinuar për Covid-19 në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv. Ai ka marrë vaksinën pak para orës 14:30 në spitalin Attikon. Greqia është ndër vendet e para evropiane që merr vaksinën e Pfizer/BioNTech.
Mitsotakis e përshkroi procedurën si “plotësisht pa dhimbje”, pasi përfundoi administrimi i dozës së parë të vaksinës, ndërsa uroi një “fillim të mbarë” për stafin mjekësor.
Në një deklaratë pas vaksinimit, ai u shpreh se sot është një ditë e mdhe për shkëncën e për BE-në.
“Sot është një ditë e madhe për shkencën dhe për Bashkimin Evropian, që menaxhoi dhe dorëzoi vaksinën në të njëjtën ditë në të gjitha vendet evropiane, duke vënë në praktikë solidaritetin evropian.
Sot, të gjithë grekët janë duke buzëqeshur nën maska, pasi në vendin tonë fillon detyra e vështirë e vaksinimit masiv”, tha kryeministri. Ndërsa shtoi se “si një udhëheqje politike, sot ata japin shembullin se vaksina është e sigurt dhe efektive“.