Dita e Verës, festa e Elbasanit e mbarsur që nga paganizmi

Qyteti i Elbasanit mban autenticitetin e festimit të ditës së verës çdo 14 mars në atë që quhet ‘ndërrimi i gjakut’. Festa pagane e ka origjinën në mesin e Shqipërisë, të paktën kështu është pranuar gjerësisht prej shumë kohësh por a është festuar dita e verës në pjesë të tjera të Shqipërisë dhe më parë?

“Dita e Verës, që ngjiz në formim dhe ritualitet mitin dhe realitetin, ka ardhur deri në ditët tona në formën e saj të hershmërisë. Ajo është ndër të rrallat festë pagane popullore ndër popujt europianë, e cila është festuar si e tillë. Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë mbarëshqiptare? Të paktën në atë masë që ajo ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik.

Dita e Verës ka qenë dhe mbetet një festë pagane në origjinë, që i dedikohet ardhjes së stinës së pranverës, në të cilën, pas një gjumi të gjatë dimëror, rigjallërohet gjithçka. Traditat e kremtimit të saj ruhen, gati në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, si në veri të Shqipërisë, ashtu edhe në jug të saj.

Gjithashtu këto tradita ruhen edhe te shqiptarët që jetojnë sot jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, diasporë si dhe tek shqiptarët e Italisë të shpërngulur prej qindra vjetësh nga trungu i atdheut të tyre.” – (Zana dhe Dita e Verës -A.Alcani, F.Fixha, Botimet Barleti, Tiranë 2015)