E enjte, 17 Qershor, 2021
15.5 C
Tirana

Disa pyetje për Ministren e Mbrojtjes dhe siguria e aeroportit të Rinasit

Nga: Luan Rama

Njëri pas tjetrit disa ministra, e pas tyre edhe Kryeministri, sipas një skenari mediokër dhe modeli të vjetër e të dështuar politik, kur Presidenti apo Kryeministri bënte edhe prokurorin, edhe gjykatësin dhe, edhe policin, u shfaqën sëfundmi, dikush me zë e fugurë e dikush me shkrim pas sulmit kriminal të një grupi të armatosur në pistën e aeroportit të Rinasit, duke fajësuar kompaninë konçensionare që administron aeroportin, pa u shprehur më parë për këtë ngjarje organi i vetëm kushtetues që ka tagrin ligjor të hetojë e të ngrejë akuzë, që është Prokuroria.

Për shkak të atributeve kushtetuese dhe ligjore, ministrat dhe kryeministri i tyre logjikisht dhe ligjërisht duhet të jenë subjekte të hetimit për veprimet ose mosveprimet e tyre në lidhje me aktin kriminal të grabitjes me armë në avionin që gjendej në pistën e aeroportit, ndaj nxitimi i tyre për të gjetur e shpallur fajtorin është më së paku përpjekje e dëshpëruar prej panikut të fajësisë dhe po aq edhe një lajthitje ligjore, që na jep indicie të kuptojmë ose më së paku të hamendësojmë se kemi të bëjmë me një përpjekje për t’i imponuar prokurorisë vijësjelljen se ku duhet të hetojë e ku duhet ta gjejë fajtorin!

Në këtë kor qëndrimesh të komanduara, ishte edhe shfaqja e Ministres së Mbrojtjes, e cila pasi tha gjithashtu se: “… ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht”, na bëri me dije se “Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të konçesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”.

Se nga e di zonja ministre se ç’përmban hetimi i ngjarjes që sipas saj paska provuar “… se mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht”, duhet të na e thotë Prokuroria, por ajo që është më e rëndësishme e paradoksalisht edhe më alarmante në kumtimin e saj, ka të bëjë me urdhërin “që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”.

Së këtejmi është e udhës që të pyesim dhe zonja ministre duhet të përgjigjet duke dhënë referenca të sakta se mbi ç’bazë kushtetuese dhe ligjore është bazuar urdhëri i saj, dhe nëse është marrë më parë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura apo jo për këtë urdhër?

E sipas të njejtës logjikë, cili ka qenë ose është qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm?

A është Shqipëria në kushtet kur Policia e Shtetit dhe strukturat e Ministrisë së Brendëshme nuk garantojnë dot rendin dhe sigurinë publike, meqë kjo është detyra dhe misioni kushtetues i tyre, që të lindë nevoja e përfshirjes së Forcave të Armatosura ne detyra që kanë të bëjnë me sigurinë e rendit publik?

Sepse, pa dhënë shpjegime për pyetjet e mësipërme, gjithkujt i lind e drejta të mendojë se urdhëri i Ministres së Mbrojtjes është një urdhër që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me “Ligjin nr. 64/2014  Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

E, nëse është kështu, ai urdhër jo vetëm nuk duhet zbatuar, por duhet denoncuar me forcë!

Sepse, sipas  Neni 173 të Kushtetutës, Forcat e Armatosura përdoren në kushtet kur:

  1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
  2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.

Ndërsa në ligjin  “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 22, për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme thuhet:

  1. Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
  2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë”.

Pra, si Kushtetuta, ashtu edhe ligji, nuk lenë asnjë ekuivok apo hapësirë, që për të rivendosur rendin, Ministri i Mbrojtjes (ministrja në rastin tonë), të urdhërojë e përdorë Forcat e Armatosura.

Natyrisht, unë nuk e vë në dyshim aspak faktin që zonja ministre është nisur nga vullneti i mirë për të kontribuar që të garantohet siguria dhe rendi publik në aeroportin e Rinasit, por këto nuk janë çështje dëshirash apo vullnetesh individualë, por detyrime kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të shtetit! Dhe në një shtet demokratik dhe vend anëtar të NATO-s, kontrolli civil mbi Forcat e Armatosura dhe transparenca e vendimmarrjes janë parime të detyrueshme për t’u zbatuar.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Reporterët pa Kufij: Rusia po i vret mediat e pavarura

Reporterët pa Kufij paralajmëruan për “zhdukjen graduale” të mediave të pavarura në Rusi dhe i kërkuan presidentit Vladimir Putin që të shfuqizojë të ashtuquajturin...

Italia ”shkërmoq” Zvicrën dhe kalon në raudin tjetër të ”Euro 2020”

Përfundon ndeshja e Grupit C. Italia ka mundur me rezultatin e pastër 3-0, Zvicrën dhe është kualifikuar në raundin tjetër të “EURO 2020”. Ndeshja u...

Irani synon blerjen e satelitëve rusë

Njoftimet se Irani po kërkon të blejë një sistem satelitor rus të avancuar nuk janë "veçanërisht shqetësuese" për sigurinë e trupave amerikane në rajon,...

Padia e Metës për Teatrin Kombëtar, Kushtetuesja tërhiqet për të marrë vendimin

Ka përfunduar pas 12 orësh, seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, e cila filloi mëngjesin e sotëm rreth orës...

“Mos përdor gjuhën e Bashës”/ Spiropali debat me Abilekajn për 25 prillin

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe gazetari Enton Abilekaj, janë përfshirë në një debat mbrëmjen e sotme. Të ftuar në emisionin ''Open''...