E shtunë, 23 Janar, 2021
12 C
Tirana

Dhjetë orët që tronditën Amerikën

Nga: Nina L.Hrushcheva “Project Syndicate”

Një gjë është e sigurt: Rebelimit të 6 janarit ndaj Kapitol Hill në SHBA, i munguan pasojat e sulmit në Pallatin e Dimrit në Rusinë Cariste. E nxitur nga presidenti Donald Trump në një tubim që mbajti aty pranë, ku ai i inkurajoi mbështetësit e tij të marshonin drejt parlamentit, turma arriti të ndërpresë një sesion të përbashkët të Kongresit dhe Senatit, për të konfirmuar votimin e Kolegjit Zgjedhor në favor të presidentit të zgjedhur Xho Bajden.

Por ligjvënësit e vazhduan më vonë detyrën e tyre kushtetuese, dhe inaugurimi i Bajden në detyrë do të ndodhë më 20 Janar. Sulmi mbi Kapitol Hill nga mbështetësit e Donald Trump, në një përpjekje të fundit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ishte sa i parashikueshëm po aq edhe tronditës.

Katër vitet e bashkëpunimit të republikanë në dëmtimin e demokracisë amerikane nga Trump, e kanë zhytur vendin në momentin e tij më të hidhur që nga Lufta Civile. Kryengritësit nuk ishin aq të disiplinuar sa kuadrot bolshevikë të Leninit, me ushtarë dhe marinarë revolucionarë të armatosur.

Shumica ishin “luftëtarë të fundjavës”, njerëz të butë të moshës së mesme, që ishin po aq të interesuar të bënin një selfi të mirë nga Kapitoli, po aq sa edhe për rrëzimin e qeverisë amerikane dhe shpalljen e Trump si një diktator i pazgjedhur.

E megjithatë, veprimet e kryengritësve -ndonëse patetike – do të kenë pasoja revolucionare për imazhin dhe vendin e Amerikës në botë. Për herë të parë në historinë e vendit, një president i mundur në detyrë, thirri një turmë njerëzish për të frikësuar Kongresin, dhe duke shkelur Kushtetutën e SHBA-së, për t`a mbajtur atë në pushtet.

I ndihmuar dhe nxitur nga shtypi i krahut të djathtë, si dhe nga republikanët radikalë, 4 vitet e përbuzjes së hapur të Trump ndaj vlerave, institucionet dhe normave demokratike, prodhuan pikërisht atë që ka dashur ai gjithmonë: një revoltë të paligjshme nihiliste kundër “elitave” nga “dështakët”, që ai ka bërë mbështetësit e tij kryesorë.

Duke thyer dritaret dhe neutralizuar rojet e sigurisë në Kapitol, protestuesit hynë në dhomat e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke detyruar evakuimin e anëtarëve të kongresit dhe stafit të tyre.

Një gjë që Trump ka të përbashkët me Leninin -por edhe me Napoleonin dhe të gjithë të tjerët që kanë ndërmarrë një grusht shteti kundër një qeverie në detyrë – është përbuzja e tij ndaj sundimit të ligjit dhe figurave politike që kishin qeverisur para tij.

Ashtu si Lenini, edhe Trump i urren normat që synojnë të kufizojnë ushtrimin e pushtetit, ndaj ai ka pak durim ndaj kulturës së kompromisit, ku mbështet baza e qeverive përfaqësuese. Dhe ashtu si Lenini, ai ka një aftësi të madhe për të nuhatur dobësinë – jo vetëm tek një regjim i caktuar, por edhe tek nëpunësit e tij, disa prej të cilëve janë të përgatitur të shkelin në emër të tij betimin e tyre.

Lexo edhe :   Twitter bllokon llogarinë e Ambasadës së Kinës në SHBA

Regjimet me të cilët u përballën Lenini, Napoleoni, Musolini dhe Franko, ishin jo vetëm të dobëta;u mungonte vullneti për të mbijetuar. Zakonisht, puçistëve më famëkeq në histori, u është dashur vetëm të shtynin dyert tashmë të hapura.

Duke gjykuar nga sjellja e tij javët e fundit, Trump duket se ka arritur në përfundimin se edhe ai ndodhej përballë një regjimi të dobët. Sipas mendimit të tij, pas 4 viteve sulme ndaj institucioneve përfaqësuese të Amerikës, këtyre të fundit u mungonte vullneti për t’u vetëmbrojtur.

Lexo edhe :   Biden shpalos sot planin kundër koronavirusit

Përndryshe, si mund të shpjegohen përpjekjet e tij për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve në Arizona, Miçigan dhe Xhorxhia për të “gjetur” votat e mjaftueshme për t`a bërë atë fitues? Mbi të gjitha, spektakli i trishtuar që u pa në Kapitol Hill ndodhi me bekimin e ligjvënësve republikanë si senatorët Ted Kruz, Xhosh Houlej,dhe gati treçereku i grupit parlamentar republikan në Kongres.

Të gjithë kishin sinjalizuar hapur qëllimin e tyre për të kundërshtuar votat, që tashmë janë certifikuar nga qeveritë e shteteve. Por fajtor nuk është vetëm “grupi parlamentar i kryengritjes”. Për katër vjet, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Miç Mekonell dhe pjesa tjetër e Partisë Republikane, kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh, ndërsa Trump degradonte presidencën amerikane.

Pas fajësimit të Trump vitin e kaluar nga Kongresit, senatorët republikanë votuan pro lirimit të tij nga akuzat, dhe më pas besuan pretendimet e tij të rreme për manipulimin e zgjedhjeve. Edhe të mërkurën, ndërsa turma i afrohej Kapitolit, Mekonell vazhdoi të përhapte gënjeshtrën se ishin demokratët ata që minuan të parët demokracinë amerikane.

Këta politikanë pa shtyllë kurrizore, do të jetojnë këtej e tutje të turpëruar. Amerika e sheh veten tani duke u ballafaquar me diçka që nuk ka ndodhur që nga koha e Abraham Linkolnit: refuzimin e rendit kushtetues nga një pjesë e konsiderueshme e elektoratit.

Ndërsa kundërshtarët e Amerikës i panë me gëzim ngjarjet e 6 janarit, miqtë dhe aleatët e saj të shumtë në të gjithë botën, janë të tronditur. Ashtu si Linkoln, edhe Bajden do të duhet tani të përballet me këtë sfidë ekzistenciale brenda SHBA-së.

Një gjë është tashmë e sigurt:Kryengritja Trumpiane, nuk do të qetësohet nga fjalimet e moderuara rreth “ecjes përpara”, pa vënë fajtorët para përgjegjësisë. Për Trump dhe për Partinë Republikane, duhet të zbatohet e vërteta brutale e Fjalëve të Urta 11:29 në: “Kush shqetëson shtëpinë e tij, do të trashëgojë erën”.

Burimi i lajmit: https://www.project-syndicate.org/commentary/ten-hours-that-shook-america-2021-01

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...