Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i afërt i Presidentit Donald Trump, thotë se ai është takuar katër herë me zyrtarë rusë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, por se nuk ka bashkëpunuar në fshehtësi me Rusinë apo ndonjë qeveri tjetër të huaj.
Zoti Kushner bëri publike sot një deklaratë me shkrim prej 11 faqesh, përpara se të paraqitej për t’iu përgjigjur pyetjeve në një seancë me dyer të mbyllura të Komisionit të Senatit për Zbulimin. Gjithashtu, një tjetër seancë dëgjimore është planifikuar për ditën e nesërme tek Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, si pjesë e hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vjetshme në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Kushner shkruan se: “Dokumentat dhe të dhënat që ofroj provojnë se unë kam patur ndoshta katër herë kontakte me përfaqësues të Rusisë, ndër mijëra kontakte të zhvilluara gjatë fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë; asnjë nga këto kontakte nuk patën ndikim në asnjë mënyrë tek zgjedhjet apo ndonjë vlerë për t’u mbajtur mend.”
Ai përshkruan në vazhdim disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilave ai thotë se diskutuan rreth dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA – Rusi, por ai mohon raportimet nga mediat se ka patur edhe biseda të mëtejshme telefonike me ambasadorin rus, Sergey Kislyak.