Përpos policisë së Kosovës, policia e Shtetit ka kërkuar edhe ndihmën e homologëve të saj grek, për identifikimin e grabitësve së 9 prillit në Rinas. Mësohet se policia e Shtetit ka kërkuar ndihmën e homologëve grekë, për të identifikuar bashkëpunëtorët e ngushtë të Admir Murtaj në supergrabitjen e fundit të ndodhur në aeroportin e Rinasit.
Admir Murataj mbeti i vrarë gjatë përplasjes me armë me uniformat blu, në fshatin Tapizë. Ishin autoritetet greke që konfirmuan fillimisht nëpërmjet profilit të ADN-së, se trupi i pajetë i përkiste pikërisht 46-vjeçarit Murataj. Ky i fundit ishte një emër i njohur për autoritetet helene.
Në shtetin helen u dërguan për ekzaminim prova materiale si doreza, maska, shenja gishtërinjsh, nga ku pritet të përftohen edhe profilet e ADN-së, me shpresë se mund të zbulohet edhe identiteti i tyre.
Provat
Disa nga provat materiale të gjetura në fugonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” që nuk u arrit të digjej nga grabitësit, si gjurmë gishtash, fije floku, maskë por edhe disa doreza, u dërguan për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore të Athinës.
Bashkëpunim me autoritetet kosovare
Më herët policia ka kërkuar bashkëpunim edhe nga autoritet kosovare. Dyshohet se dy furgonët e djegur, një në Bathore e tjetri në fshatin Dritas, të kenë ardhur nga Kosova. Të dy mjeteve iu ishte fshirë numri i shasisë, për të bërë të vështirë identifikimin e tyre. Ndërkohë burime nga grupi hetimor konfirmojnë se mjetet e përdorura në grabitjen e 9 prillit, nuk janë denoncuar të humbura në polici nga pronarët e tyre.
Lleshaj: Nuk dihet kush e ka vrarë Admir Muratajn
Mbrëmjen e djeshme, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një intervistë në “Report Tv” deklaroi se ende nuk dihet se kush e ka vrarë Admir Muratajn.
Deklarata e tij e bën edhe më të mistershme ngjarjen e Rinasit, pasi policia e Shtetit ka pretenduar se Murataj u vra në shkëmbim zjarri me FNSH-në. Lleshaj tha se gjithçka është në dorë të hetuesve, dhe ai si ministër nuk dispononte të dhëna konkrete.
Berisha: Admir Murataj nuk u vra nga policia
Ish-kryeministri Sali Berisha hedh dyshime të forta se Admir Murataj nuk është vrarë nga policia. Nëpërmjet mesazhit të një qytetari, Berisha shkruan se vendi ku ka ndodhur vrasja, nuk ka fushë pamje për policinë.
Sipas denoncimit, makina e policisë që pretendohet se është përplasur me grabitësit, nuk ka asnjë gërvishtje. Në mesazh pretendohet se Murataj është vrarë nga shokët e tij.