Detajet/ Gazetarit shqiptar i vendosin lëndë plasëse në hyrje të banesës

Një shpërthim me tritol ka ndodhur pak pas mesnate, pranë shtëpisë së gazetarit Elidon Ndreka në Lezhë. Policia njofton se në pjesën e jashtme të hyrjes së shtëpisë, ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se një automjet është filmuar nga kamera e sigurisë, nga i cili ka zbritur një person dhe ka vendosur lendën plasëse dhe më pas është larguar.

“Më datë 30.10.2020, rreth orës 00:30, në fshatin Balldre, Lezhë, në pjesën e jashtme të hyrjes së banesës së shtetasit E.N, ka shpërthyer një sasi e vogël, dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale”, thotë policia.

Forcat e policisë dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet, për sqarimin e rrethanave të saj, identifikimin dhe për kapjen e autorit.