Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka kërkuar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve shkarkimin e Agron Tufës nga posti i Drejtorit të Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Sipas Brahos, ky institucion është shndërruar në Institucion të Ballit Kombëtar.
“Ky institut me Agron Tufën është kthyer në institut të Ballit Kombëtar. Nuk ka asgjë shkencore në analizat e institutit. Ka shumë helm në punën e këtij institucioni.
Në këto kushte unë mendoj që nuk do ta votoj pozitivisht këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në veprimtarinë e tij”, tha Braho.
Ndërkohë, ka reaguar dhe Agron Tufa, duke thënë se kjo ishte një dhuratë nga ish-Sigurimi i Shtetit.
“Miq të nderuar, dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash përfaqësuesi i zi i ish-Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit”, deklaroi Tufa.