Politikë

Deputeti i ri fshehu dënimin, zbulohet vendimi i Gjykatës

               Publikuar në : 17:04 - 15/03/19 Enno

Ylli Shehu, deputeti i ri nga listat e LSI-së, i cili zgjodhi marrjen e mandatit, ka fshehur në formularin e dekriminalizimit drejtuar KQZ, një dënim për kontrabandë, falsifikim të dokumenteve dhe falsifikim të vulave, stampave ose formularëve.

Vendimin i Gjykatës së Korçës për dënimin e tij mban datën 18 Nëntor 2008 dhe është siguruar nga ‘News24’, vendim që e shpall fajtor Shehun, i cili si dënim duhet të paguante 600 mijë lekë të rinj, për të tre vepra penale të sipërpërmendura.

Në vendim e gjykatës thuhet se Shehu kishte futur në Shqipëri në muajt tetor-nëntor 2003, një automjet BMW X5, pa paguar detyrimin e saktë doganor dhe kishte dashur ta targonte duke paraqitur në Degën e Koganës Korçë dokumente të rreme zhdoganimi. Gjykata vleresoi se nëpërmjet këtij veprimi, Ylli Shehu kishte mundur të shmangej nga detyrimi doganor në shumën 1.110.109 lekë, duke paguar vetëm 154.421 lekë.

Më pas, deklaratën doganore të cilën e ndryshoi në përmbajtje, në vula, shkrime e nënshkrime të Doganës Korçë, së bashku me dokumentet e tjera të mjetit BMW X5, i kishte dorëzuar në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë, ku kishte bërë edhe targimin. Pas këtyre veprimeve, Shehu kishte shitur mjetin në 11 shkurt 2004.

Avoakti mbrojtës, Robert Hysa, gjatë procesit kishte pohuar se i pandehuri Ylli Shehu i pranonte akuzat dhe se ndihej i penduar. Madje kishte kërkuar edhe masa lehtësuese për arsye se ishte pa precedent penal dhe ndodhej në kushte të vështira ekonomike e familjare.

Në fund të gjykimit, Gjykata kishte vendosur dënimin me 200 mijë lekë të rinj për secilën vepër penale ndaj Ylli Shehut.

Ky dënim i nëntorit 2008 është fshehur në deklaratën e dekriminalizimit, detyrim ligjor për çdo zyrtar të lartë të zgjedhur.

Në formular, Ylli Shehu ka përmendur vetëm dënimin e marrë në 20 mars 2007, nga Gjykata e Tiranës, po për kontrabandë dhe ku dënohej me gjobë në 200 mijë lekë të rinj. Por edhe këtë vendim, menjëherë pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin në Kuvend në vitin 2015, Shehu e kishte fshehur.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT