Kryesore

Deputetët qahen për rrogat, ironizojnë qytetarët: Hapni gojën, jemi pronto

               Publikuar në : 17:48 - 09/02/19 S.N

Deputetët shqiptarë nuk janë të kënaqur me pagat e tyre. Përfundimin e ka nxjerrë Instituti i Studimeve Politike, nëpërmjet një ankete ku morën pjesë 70% e deputetëve të Parlamentit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ISP, 92% e deputetëve mendojnë se marrin rroga të pamjaftueshme, ku 77% e tyre shprehen se nuk përballojnë dot shpenzimet me rrogën që paguhen.

Por, edhe pse marrin pagat më të larta në Shqipëri, të zgjedhurit e popullit kanë edhe përfitime të tjera. Pasi afro 85% kanë përfituar trajtim të rregullt financiar, si dieta apo honorarë, pagesa ekstra veç pagës mujore prej 140 mijë lekësh të reja. Mirëpo, edhe me kaq për ta nuk mjafton.

Por, në një situatë ku paga për deputetët tanë qenka e ulët, po për qytetarët shqiptarë?!

“Po u ankuan edhe ata që marrin rroga të pamjaftueshme, ne të tjerët i bie të vdesim. Unë i bëj një ofertë deputetëve tanë, me qenë se, paskan këto halle. Kushdo prej tyre le të ndërrojë vendin me mua. Të shkoj të ulem unë atje dhe betohem që do të sillem më mirë se ata.”

“Imagjino në që nuk kemi rrogë fare, nuk e imagjinoj dot që të bëhet kjo gjë te deputetët. Po ashtu do t’i japim neve, të nxjerr që tani e t’ua jap. Kush do nga ata, veç të hapë gojën. Unë jam pronto për ta.”

Duke përdorur ironi, ata thonë për Tirana Today se do të japin dhe nga pensionet e tyre. Pensione dhe paga që në të vërtetë për qytetarët janë shumë të ulëta. Të cilët nuk kanë privilegjet e deputetëve tanë dhe përsëri i duhet të ‘mbijetojnë’.

“Po nuk i del është e vërtetë. Unë jam vetë i pestë dhe 200 mijë lekë të vjetra më dalin. Por, ata kanë luks më të lartë, kërkojnë më shumë. Kurse ne pranojmë ato që kemi, është realiteti.”

“O shumë gjynah, përderisa nuk i del le t’ia rrisim prapë rrogën. Do i marrim borxh ne lekët dhe t’ia japim.”

“Ata qahen nga e mira dhe jo nga e keqja. Ata nuk ngopen ndonjëherë, nuk i shohin hallexhinjtë. Kurse ne pensionistët marrim 150 mijë lekë të vjetra. Çfarë të bëjmë më para, me të keq ia dalim. Aq saqë të mos pish asnjë kafe.”

“Unë them që marrin shumë dhe se ata qahen se janë tahmaqarë e duan të rrjepin popullin. I ngopuri nuk e beson kurrë të pangopurin. Ata kanë arritur në atë shkallë që janë kthyer në çnjerëzor.”/ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT