Denoncon i burgosuri në Peqin: Vizitat e mjekut janë fiktive

Një ankesë e ardhur nga dënuari  Edmond Mustafaj në redaksinë e emisionit investigative “BOOM” në RTV Ora News, për shkak të mosmarrjes së medikamenteve, pavarësisht se shënoheshin në kartelën e tij mjekësore, ka nxjerrë në pah një problematikë të thellë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

I dënuari vuan nga tre sëmundje njëkohësisht: Astmë bronkiale, veshkat dhe prostatë, e megjithatë ai është mbajtur me ditë në izolim.

Letra e të burgosurit për redaksinë ‘BOOM’

“Unë që ju dërgoj këtë letër jam i dënuar Edmond Mustafaj dhe ndodhem në burgun e Peqinit. Në lidhje më këtë po ju sqaroj si më poshtë: Jam i sëmurë kronik, në kartelën time mjekësore janë zhdukur dhe janë grisur disa vizita po ashtu dhe mjekimi kronik i viti 2015 nuk gjendet i regjistruar në kartelë. I jam drejtuar edhe mjekut por ai më tha se për këto mban përgjegjësi vetëm kartelistja se ajo i ka në dorëzim. I jam drejtuar përsëri infermieres por ajo më ka kërcënuar duke më thënë se po erdhe përsëri do të transferoj nga ky burg.  Madje kjo infermiere më ka çuar në ambientet e izolimit në bashkëpunim me shefin e regjimit. Prej tre muajsh ndodhem këtu, i jam drejtuar edhe Drejtorit të burgut të Peqinit por edhe ky nuk e zgjidhi. I jam drejtuar edhe ish-Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani po ashtu edhe ai nuk ktheu përgjigje. I jam drejtuar Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ata erdhën, verifikuan për zhdukjen e tyre nga kartela.Ju drejtuan Drejtorisë së Burgjeve për këto dhe thanë se do të merren masa por nuk u mor asnjë masë për këta punonjës. Po në kartelën time janë regjistruar ilaçe që unë nuk i kam marrë kurrë, më janë regjistruar gjilpëra të shtrenjta sikur unë i kam bërë, por që këto nuk figurojnë në listën e ilaçeve të burgjeve. Gjilpëra quhet stoperen ose stoperon. Nuk e di se ku venë këto lekë”.

Gazetarja e emisionit “BOOM” ka arritur të komunikojë me të dënuarin, me nënën e tij, me mjekun e burgut si dhe me drejtorin e emëruar vetëm pak kohë më parë.

Flet e ëma e të burgosurit: Jam nëna e Edmond Mustafait, i dënuar në burgun e Peqinit. Kërkoj një të drejtë për djalin tim, e kam të sëmurë kronikë me veshka, mëlçi, prostatë, astmë. Mjekimet nuk i ka marrë, mjekimet shkrihen pa e bërë fare, në kartelë.

Gazetarja: Patët një takim me djalin sot.

E ëma e të burgosurit: Ilaçet e fundit që i ka dhënë mjeku nuk i ka marrë fare. Ato kushtojnë dhe nuk ja blejnë, recetën e kam unë në xhep që t’ia marr privatisht, ja ku e kam recetën.

Gazetarja: Ka tre lloj ilaçesh këtu dhe receta është dhënë me 26.10.2017.

E ëma e të burgosurit: Këto ilaçe nuk i ka marrë. Ne kemi 16 mijë lekë të reja të ardhura, pensionin tim, i vi një herë në muaj. Atë djalë kam, nuk kam njeri tjetër.

Gazetarja: Kur ka ngritur zërin për të kërkuar këto të drejta çfarë ka ndodhur?

E ëma e të burgosurit: E kanë rrahur, i kanë çuar fletë shërbimi a nuk e di. Është në izolim. Vetëm astma sa i bën, ai bllokohet.Është me pompë. Shtetit i kërkoj që djalin të ma kurojë, ti çojnë ilaçet si gjithë të tjerët, pavarësisht se ai është i dënuar ka të drejtat e tij. Unë nuk kam, po mbledh kanaçe për vete që i vi djalit.

Sipas mjekut të burgut, ilaçet ndonjëherë edhe ua blinin vetë ata, sepse insitucioni nuk ua siguronte.

Gazetarja: I burgosur pretendon se disa nga mjekimet që janë shënuar këtu tek terapia nuk i ka marrë. Stoperon 2×1 thotë kartela.

Ish-mjeku i burgut Peqin: Ndoshta nuk janë me rimbursim, kështu që i takon ti blejë vetë.Mjekimin ja ka dhënë specialisti, çdo gjë që vjen nga specialisti e shkruajmë aty. Mesa di unë ai është preparat që e merr me lekët e veta ose investon Drejtoria e Burgut Peqin.

Gazetarja: Ka investuar në rastin konkret?

Ish-mjeku i burgut Peqin: Jo po ai nuk e ka kërkuar. Një pjesë i blejnë vetë këta, disa herë ja kam marrë unë me lekët e mia.

Gazetarja: Pse duhet t’ia merrni ju, a ka Drejtoria një fond të posaçëm për këtë?

Ish-mjeku i burgut Peqin: Nuk… është shumë e vështirë, shumë e vështirë.

Ndërkohë që drejtori i institucionit të vuajtjes së dënimit thotë se, ilaçet për këtë të burgosur, gjatë kohës që ai e drejton këtë institucion kanë qenë të siguruara.

Por nëna e të dënuarit, tregon recetën e ilaçeve, të cilat duhet t’ia blejë të birit me paratë e saj, ndonjëherë edhe duke shitur kanaçe.

Drejtori i burgut Peqin: Ata janë të dënuar dhe kanë nevojë për një recetë sipas diagnozës që kanë dhe këto ilaçe mund të rimbursohen në tre rrugë. Nëse nuk i sjell Drejtoria e Përgjithshme, i sjell ISKSH-ja dhe në të kundërt i blejmë vetë ne si strukturë shtetërore. Rastet që i blejmë ne janë shumë të pakta se i rimbursojnë ose Drejtoria e Përgjithshme ose ISKSH-ja. Sapo u lidha me mjekun, ka kartelën përpara të këtij personit dhe më thotë që të gjitha që janë të regjistruara në kartelë ky i merr. Unë them për periudhën që jam unë, nuk di çfarë ka bërë më përpara.

E ëma e të burgosurit tha: Ilaçet e fundit që ka dhënë mjeku nuk i ka marrë fare, recetën e kam unë në xhep që t’ia marr privatisht.

Drejtori i burgut Peqin: Vetëm kur familjarët duan ti sjellin vetë është e drejtë e tyre ti sjellin. Ka familjarë, unë nuk e di fare këtë rast.

E ëma e të burgosurit: Unë nuk kam, po mbledh kanaçe për vete që i vi djalit.

Për këtë rast është shprehur edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet avokatit të tij.

Avokati i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Andi Muratej: Kemi bërë një verifikim në burgun e Peqinit ku ndodhet ankuesi. Grupi i KSHH ka pasur në përbërjen e tij dhe një ekspert mjek i cili është ndaluar në mënyrë të veçantë në verifikimin e gjendjes shëndetësore dhe dokumentin shëndetësor të të dënuarit, të ankuesit Edmond Mustafai. Gjatë kqyrjes së kartelës mjekësore kemi parë se ishte shumë voluminoze, përbëhej nga disa kartela të vogla të hapura gjatë kohës së ekzekutimit të dënimit me burgim të ankuesit dhe një nga këto kartela ishte plotësuar deri në muajin shkurt 2015, më pas nuk kishte kartelë që është miratuar sipas një standarti të caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por shënimet mbi gjendjen shëndetësore të ankuesit bëheshin në disa fletë format A4 të bashkuara me njëra-tjetrën, në të cilat kishte mangësi sa i takon paqyrimit të gjendjes shëndetësore dhe kontrolleve që i bëhen ankuesit nga  shërbimi shëndetësor i IEV Peqin. 

Nga stafi i pranishëm gjatë kqyrjes së kartelës na u tha që ka pasur mangësi sa i takon kartelave mjekësore që janë sipas standartit të caktuar. Pasi konstatuam mangësitë në dokumentacionin, pasi takuam dhe vetë personin dhe morëm ankesën e tij, eksperti mjek i KSHH gjeti të bazuara disa nga ankesat e të dënuarit sa i takon sëmundjeve nga të cilat ai vuante. Në këto fletë A4 që kishin zëvendësuar kartelën mjekësore kishte shënime nga mjeku por kishte kolona të paplotësuara, mungonte ditari klinik, diagonizat. Normalisht rregulli e ka që çdo mjekim që merr i burgosuri duhet të shënohet në kartelë, qoftë kur e siguron burgu, qoftë kur e siguron nga familja mjekimin. Nuk duhet të shënohet në mënyrë absolute asnjë shënim që nuk është bërë realisht gjatë trajtimit mjekësor të të burgosurit.

Fondet jepen, kartelat mbushen, por ilaçet blihen nga familjarët e të burgosurve.

E mbi të gjitha, pavarësisht problematikës shëndetësore të këtij personi, sëmundjeve të shumëfishta, ai vuan trajtimin me izolim për ditë të tëra, një shkelje flagrante kjo e të drejtave të njeriut.

/Oranews.tv/

TË LIDHURA

Next Post

JU REKOMANDOJMË





TË FUNDIT