Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka komentuar denoncimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha se në sekret të plotë qeveria po u jep oligarkëve një pjesë të territorit të bazës ushtarake në Sarandë. Meta tha se ka kërkuar nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare, që të bëjnë verifikimet.
“Hetimet i zhvillon Prokuroria, por si president, sapo jam njohur me një pretendim të tillë, kërkova nga ekipi im i sigurisë kombëtare që të bëjnë verifikimet. Që pastaj të kemi një qëndrim edhe publik edhe sa më të saktë”, tha ai.
Pak ditë më parë, kryedemokrati Basha, gjatë takimit në Divjakë, denoncoi se një pjesë e territorit të bazës ushtarake në Sarandë, po bëhet gati nga qeveria që t’u jepet oligarkëve. Basha u shpreh se fakti që po bëhet në sekret të plotë, cënon sigurinë kombëtare, prandaj i bëri thirrje edhe Presidentit Ilir Meta që të investigojë.
“Në sekret të plotë është marrë një pjesë e territorit e bazës ushtarake navale të marinës së flotës luftarake detare në Sarandë, dhe është bërë gati t’u jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend.
Shpresoj që të jetë një lajm i rremë, në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga forcat e armatosura, nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, por transparente se cënon sigurinë kombëtare.
U bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, të investigojnë nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë”.