Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, bëri me dije se sot do të firmoset një marrëveshje e dytë me bankat.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Denaj sqaroi se kjo marrëveshje do të mundësojë likuiditetin për të gjitha bizneset, në këtë kohë krize nga koronavirusi.
Më tej, ministrja tha se po punon për programin e rimëkëmbjes së ekonomisë, teksa thekson se ky proces është konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe kryesisht të Bankës Botërore.
“Naftëtarët e Ballshit, kanë në llogarinë e tyre bankare pagesën sipas aktit normativ. Janë duke u shqyrtuar mbi 470 kërkesa të proceduara nga bankat dhe sot firmosim me bankat marrëveshjen për garancinë e dytë bankare që mundëson likuiditet për të gjitha bizneset.
Përtej paketës së ndihmës ne jemi duke punuar në programin e rimëkëmbjes. Programi i rimëkëmbjes është punuar edhe me mbështetje të ndërkombëtarëve dhe kryesisht të Bankës Botërore, që do të ndihmojë në ringritjen e ekonomisë”, tha ajo.