Sulejman Demollari ka qenë në fushë në ndeshjen e parë që Shqipëria ka luajtur ndaj Spanjës. Kuqezinjtë krijuan idenë e ndonjë surprize të madhe në takimin e 3 dhjetorit 1986, kur kaluan të parët në avantazh me anë të Shkëlqim Muçës, por më pas spanjollët përmbysën gjithçka duke fituar 2- 1.
Demollari kujton sfidën e asaj kohe dhe momentin e golit të Muçës. “Spanja në atë ndeshje kishte lojtarë të kalibrit të lartë duke nisur nga portieri Zubizareta dhe një prej sulmuesve më të mirë në Botë në atë kohë, Butragenjo. E vërteta është që bëmë një ndeshje shumë të mirë. Ajo që duhet thënë është se atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Kishte shumë tifozë dhe ishin në lartësinë e duhur”, u shpreh fillimisht Demollari në prononcimin e tij për “Super Sport”.
(Moment nga ndeshja Shqipwri-Spanjë, Sokol Kushta kapiten)
Për sa i përket golit, Demollari tregon gjithçka: “Kishim minuta që e kërkonim golin dhe e gjetëm shpejt. Më kujtohet shumë mirë që ishte një gol i bukur i Muçës. Ishte një goditje brenda zonës me të majtën. Ishte një pjesë e parë, shumë e mirë e Shqipërisë. Dëshira jonë ishte që ta vazhdonim këtë lojë dhe të merrnim një rezultat pozitiv, por nuk ia arritëm qëllimit.
Këtu hyn edhe përvoja e lojtarëve që spanjollët e kishin të madhe. Ishin lojtarë me emër që luanin nëpër klube të mëdha. Pavarësisht humbjes, si skuadra, edhe tifozët, mbetën të kënaqur me lojën shumë të mirë që bëmë duke treguar dinjitet në fushë”.
Në lidhje me sfidën e sotme dhe ndryshimin mes dy ndeshjeve në kohë të ndryshme, Demollari thotë: “Në atë kohë ishte shumë e vështirë përballë Spanjës, që synonte jo vetëm të shkonte në fazën finale të kompeticioneve, por edhe të fitonte trofetë, qoftë Europianin apo Botërorin.
Edhe sot, dihet që është një superfuqi botërore. Sot, lojtarët e Shqipërisë duhet të luajnë me idenë se e kanë fituar një personalitet. Janë lojtarë profesionistë që kanë krijuar personalitet dhe duhet të japin gjithçka”, përfundoi prononcimin e tij Demollari.
Shqipëri-Spanjë 1-2