Demokratët i kërkojnë dorëheqjen, Basha flet për herë të parë

Humbja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, shkaktoi një ”furtunë” brenda Partisë Demokratike, pasi disa funksionarë të saj, përfshirë dhe personalitete si ish-Presidenti Bujar Nishani, kërkuan dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

Por, ditën e sotme Basha ka reaguar për herë të parë ndaj kritikëve dhe atyre që duan largimin e tij nga posti i kryetarit.

Pasi doli nga selia blu, Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë çështje.

Basha është përgjigjur duke thënë se do të ketë një dalje për mediat dhe se beteja do të vazhdojë deri në fitore.

“Do kemi një dalje të plotë për mediat me të gjitha. Kur të vijë momenti i duhur.”, tha Basha. Me këtë deklaratë, Basha tregon se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga kreu i PD.

Basha priti sot në selinë blu, ambasadorin italian Fabrizio Bucci dhe shefen e misionit të OSBE-ODIHR, Ursula Gacek, për të diskutuar rreth zgjedhjeve, të cilat sipas PD ato u manipuluan nga mazhoranca.