Editorial - Opinione

Demokracia në Evropë, ka rënë më shumë se çdo rajon tjetër të botës

               Publikuar në : 22:37 - 10/01/19 lm

Nga Rachael Kennedy “Euronews”/ Demokracia ka rënë më shumë në Evropë, se sa në çdo rajon tjetër të botës, sipas Njësisë së Inteligjencës Ekonomike (EIU). Duke publikuar statistikat e saj për Indeksin e Demokracisë 2018, EIU vuri në dukje një “rënie demokratike”, që ndihet veçanërisht në Evropën Perëndimore, ku ky parametër ka rënë për një të tretin vit radhazi.

Megjithatë, edhe me një rritje të vogël të raportuar në 2018, Evropa Lindore është përkeqësuar më së shumti, që kur EIU nisi të publikojë Indeksin e saj të Demokracisë në vitin 2006. Pavarësisht nga “rënia demokratike”, vendet evropiane dominojnë ende në krye të tabelës në renditjen globale, me Norvegjinë në vendin e parë, dhe Islandën dhe Suedinë, respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.

Rusia u rendit si vendi më pak demokratik në Evropë, duke zënë vendin e 144 në renditjen globale, nën vende të tilla si Afganistani dhe Zimbabve. Evropa Perëndimore, karakterizohet shumë me vendet që raporti i konsideron të jenë “demokraci të plota”, ndërsa lindja e Evropës dështon të arrijë qoftë edhe njërin nga këto parametra, duke dominuar në kategorinë e “demokracive me të meta”.

Po cilat ishin vende me rëniet më të dukshme në vitet 2017-2018? Në kontinent ka pasur disa “rrëshqitje” të spikatura, duke përfshirë Austrinë, Gjeorgjinë, Hungarinë, Rusinë dhe Turqinë, por më së shumti Italinë. Raporti vëren se rënia e cilësisë demokratike në disa vende në Evropën Perëndimore, ka çuar në një mbështetje më të madhe të partive anti-establishment, dhe politikës “së fuqishme” në të majtë dhe në të djathtë.

Në Itali, rritja e llojit të politikës në formën e një koalicioni qeveritar populist, midis lëvizjes anti-establishment Pesë Yjet dhe partisë Lidhja të krahut të djathtë, bëri që vendi të bjerë nga vendi i 21-të në 2017 në të 33-tin në vitin 2018.

Politika anti-establishment, që ka marrë pushtetin në vende të tilla si Austria dhe Italia, është “një reflektim i dështimit të vazhdueshëm të partive kryesore, për të adresuar shqetësimet dhe pasiguritë e segmenteve të rëndësishme të popullsisë”- vinte në dukje raporti.

Në veçanti, qeveria italiane, tregon një “zhgënjim të thellë me institucionet politike, duke përfshirë parlamentin dhe partitë politike, duke u mbështetur në rritjen e mbështetjes për njerëzit e fuqishëm që anashkalojnë institucionet politike, dhe në dobësimin e komponentit të kulturës politike në indeks”.

Raporti përmend në mënyrë specifike Ministrin e Brendshëm Italian, njëherazi zëvendëskryeministrin Mateo Salvini, mbi rekordet e tij negative me të drejtat e njeriut dhe politikat e tij kundër emigracionit. Ndërkohë zgjedhjet e fundit presidenciale në Gjeorgji, shënuan rënien më të madhe të cilësisë demokratike në Evropën Lindore. Sipas OSBE-së, procesi aty u minua nga të dyja kampet në garë.

Ku pati rritje të demokracisë? Megjithë përkeqësimin 3-vjeçar në përgjithësi në Evropën Perëndimore, Finlanda, Gjermania dhe Malta, kanë rritur rezultatet e tyre në 2018. Në mënyrë të ngjashme, në Evropën Lindore, “përmirësime thelbësore” janë raportuar në Armeni, Estoni dhe Maqedoni.

Estonia renditet si “demokracia me të meta” më e mirë në Evropën Lindore në vitin 2018, “për shkak të një përmirësimi të ndjeshëm në besimin e perceptuar tek qeveria dhe partitë politike”. Po si renditen vendet e Bashkimit Evropian? Suedia kryesonte renditjen si vendi më demokratik në Bashkimin Evropian, teksa klasifikohet e treta në botë.

Në anën tjetër të shkallës, Rumania renditet e fundit nga të gjitha vendet e BE, me Kroacinë vetëm pak më lart. Euronews foli me Fiona Meki, autore e raportit të Indeksit të Demokracisë për vitin 2018. Me rritjen e numrit të popullsive të përgjithshme që marrin pjesë në diskursin politik, kjo në përgjithësi konsiderohet një lëvizje pozitive për demokracinë, vëren Meki.

Megjithatë, kombinimi i pjesëmarrjes politike dhe populizmit, mund të jetë një arsye për t’u shqetësuar. “Në Evropë, në masën që pjesëmarrja politike është rritur për shkak se votuesit janë angazhuar nga populistët, ekziston rreziku që në vitin 2019, arritje e vërejtura në Indeksin e Demokracisë, do të ndryshonin në kahun e kundër. Dhe do të kishim diçka midis rritjes së polarizimit politik, dhe një përkeqësimi të mundshëm në qeverisje apo në liritë civile”- shtoi ajo.

Cilat vende duhet mbajtur nën vëzhgim? Kur u pyetën se cilat vende evropiane, mund të jenë në krye të agjendës së Indeksit të Demokracisë 2019, Meki tha se ka shumë vende për t’u parë. “Do të shohim partitë populiste në Suedi dhe Spanjë, qeverinë relativisht të re në Itali, dhe natyrisht që do të shohim nga afër zgjedhjet parlamentare të BE-së, si një matës për atë se si po ecin partitë populiste në të gjithë rajonin”.

Meki theksoi se Mbretëria e Bashkuar, do të ishte një vend veçanërisht i rëndësishëm për t’u vëzhguar këtë vit për shkak të Brexit, dhe me fokus të veçantë në diskutimet e një referendumi të dytë. Çështja e një referendumi të dytë “do të rezultojë jashtëzakonisht përçarëse, dhe mund të çojë në rritjen e polarizimit politik, dhe në fund të fundit, në një humbje të besimit tek demokracia në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo. Përashtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu