Nga Paul Taylor “Politico.eu”
Rojtarët e vetëshpallur të demokracisë në Evropë janë në alarm. Shqetësimi i tyre:dështimi i udhëheqësve të Bashkimit Evropian, për të emëruar politikanin bavarez Manfred Weber. Ose të ashtuquajturin ‘Spitzenkandidat’, si president të Komisionit Evropian.
Disa në Parlamentin Evropian janë aq të indinjuar, sa kërcënojnë të bllokojnë zgjedhjen në këtë post javën e ardhshme të ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Që u shfaq si një kandidate kompromisi nga liderët e BE-së për të drejtuar ekzekutivin evropian.
Një veprim i tillë, do të ishte një gjest i papjekur nga një “parlament adoleshentësh”, që duket se merakoset me shumë të tregojë muskujt e vet. Sesa të përdorë trurin për të analizuar atë që dëshiron të bëhet kur të rritet. Dhe ky nuk do të ishte një gjest në mbrojtje të demokracisë. Sigurisht, emri i von der Leyen nuk ishte në tryezë. Por as i Weber në 27 nga 28 vendet që votuan në zgjedhjet evropiane të majit. Evropa është një demokraci hibride – një bashkim shtetesh dhe popujsh. Parlamenti dhe udhëheqësit e shteteve anëtare, kanë legjitimitet demokratik.
Prandaj traktati parashikon që Këshilli Evropian të propozojë me shumicë të kualifikuar një kandidat për kreun e Komisionit Evropian, “duke pasur parasysh” rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Që të emërohet në detyrë, kandidati i propozuar ka nevojë për një shumicë absolute në Parlamentin Evropian.
PE arriti të diktonte zgjedhjen e kreut të Këshillit Evropian në vitin 2014, duke themeluar modelin e ‘Spitzenkandidat’ – konsensusi sipas të cilit kandidati kryesor i grupimit që fiton shumicën e vendeve në PE, duhet të jetë automatikisht zgjedhja e parë për kreun e KE. Por ai është një model, që nuk ka asnjë bazë ligjore në traktatet e BE-së.
Përplasja mbi emrin e von der Leyen, nuk ka të bëjë me përballjen e demokracisë me prapaskenat politike, sikurse është portretizuar veçanërisht në median gjermane. Ajo është më shumë rezultat i dështimit të “familjeve të mëdha politike” politike evropiane, që janë të mërzitura pse nuk po munden të imponojnë dot më vullnetin e tyre përmes Këshillit Evropian.
Faji është në fakt i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, që e bëri Weberin, udhëheqësin e vet jokarizmatik dhe pa asnjë përvojë qeveritare, si ‘Spitzenkandidat’-in e saj pas një palë zgjedhjeve paraprake qesharake brenda PPE-së. Ishte një proces kaq farsë, sa që Weber nuk ishte në gjendje të siguronte shumicën në PE, pavarësisht nga lobimi rreth tij.
Përpara zgjedhjeve, krerët e PPE kishin hedhur poshtë propozimet e Francës që kandidatët kryesorë të secilit grupim politik, të kryesonin listat transnacionale në zgjedhje, çka do t’u jepte një legjitimitet me të madh popullor panevropian. Por PPE-ja i pengoi listat transnacionale jo për hir të demokracisë, por për të mbajtur pushtetin në duart e partive kryesore që drejtojnë Parlamentin Evropian.
Pastaj, pas numërimit të votave dhe ishte e qartë që Weber e kishte humbur pozitën e dikurshme, dhe shumica e PPE u përfshi në një debat të ashpër, me krerët nacionalistë të Evropës Qendrore që ishin kundër propozimit të kancelares gjermane Angela Merkel, për emërimin e një tjetër ‘Spitzenkandidat’:holandezit Frans Timmermans të socialistëve europianë, që mund të siguronte shumicën me ndihmën e eurodeputëve liberalë, të gjelbërve dhe madje edhe të shumë të majtëve.
Ishte këmbëngulja e PPE- së për të mbajtur postin e kreut të KE, të cilin e ka mbajtur 15 vitet e fundit, ajo që çoi në kërkimin e një figure të qendrës së djathtë më të mirë-kualifikuar sesa Weber.
Përballë ngërçit në PE dhe midis 28 krerëve të BE-së, Macron dhe Merkel arritën në fund një marrëveshje me presidentin e Këshillit të Europës Donald Tusk, për 4 propozimet e reja për
4 postet kryesore të Bashkimit Evropian. Krahas von der Leyen, shefja e FMN-së, Christine Lagarde, do të drejtojë Bankën Qendrore Evropiane, kryeministri belg Charles Michel Këshillin Evropian, dhe ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borrell, politikën e jashtme të unionit. Pavarësisht nga mangësitë e saj si ministre e Mbrojtjes, von der Leyen është një pro-europiane e angazhuar, dhe me një përvojë të gjatë në drejtimin e disa ministrive. Pra, pse kaq shumë ligjvënës të PE, mund të rebelohen kundër emërimit të saj? Për disa, arsyet janë ideologjike – nacionalistët e urrejnë federalizmin e saj evropian- ndërsa të Gjelbrit nuk gjejnë dëshmi, që ajo të jetë shqetësuar ndonjëherë për ndryshimet klimatike apo mjedisin.
Nëse rregulli i të gjitha parlamenteve, është të marrin sa më shumë pushtet të jetë e mundur nga ekzekutivi, rregulli i dytë është të mos e lëshosh më atë pushtet, pasi e ke marrë njëherë. Rregulli i tretë, është që nëse duhet të tërhiqesh në një pikë, sigurohu të marrësh ndonjë post tjetër si kompensim.
Kjo mund të jetë axhenda e vërtetë, që fshihet pas kërcënimit për të kundërshtuar kandidaturën e von Leyen. PE ka edhe kompetenca që i dëshiron, por që nuk kanë asnjë bazë në traktatin themeltar. Këto përfshijnë të drejtën për të ndërmarrë nisma ligjore, që i ka vetëm Komisioni Evropian dhe të drejtën për të rritur taksat, që është një monopol i qeverive kombëtare.
Asnjëra nga këto komptenca, nuk mund të sigurohet pa ndryshuar traktatin e BE-së. Dhe duke pasur parasysh rrezikun e madh të disfatave nëpër referendume, qeveritë kombëtare kanë pak “oreks” për ndryshimin e traktateve. Por von Leyen mund t’i ofrojë Parlamentit Evropian një sinjal paqtimi, duke u angazhuar që KE të propozojë ligje për çdo çështje politike, brenda kompetencës së tij ligjore, nëse këtë e kërkon shumica e ligjvënësve./ TIRANA TODAY