Del biseda e ish-Presidentit Trump me ish-zyrtarin e zgjedhjeve në Xhorxhia

Sapo është bërë publike biseda telefonike mes ish-Presidentit Donald Trump dhe një zyrtari zgjedhor të shtetit të Xhorxhias, ku del qartë presioni që po ushtronte ish-presidenti ndaj zyrtarit për të zbuluar manipulime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Në një bisedë para Krishtlindjes, zoti Trump dëgjohet duke folur me Frances Watson, mbikqyrës për hetimet në zyrën e Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias.

Gjatë bisedë, ish-presidenti thotë “Unë fitova gjithçka në Xhorxhia. I fitova zgjedhjet në Xhorxhia. E di mirë, fitova me diferencë të madhe. Diçka ka ndodhur. Diçka e keqe ka ndodhur. Shpresoj se po bëni diçka, shpresoj se po analizoni që nga dy vjet më parë dhe jo thjesht tani, përndryshe do të ishte sikur të kontrollosh firmën në një çek, gjë që nuk nënkupton asgjë. Nëse në hetime analizon periudhën që dy vjet më parë në komunën Fulton, do të zbulosh gjëra të pabesueshme,” thotë zoti Trump.

Zyrtari Watson i përgjigjet ish-presidentit se Xhorxhia “është e interesuar vetëm të zbulojë të vërtetën” dhe konfirmon se ekipi i tij po zhvillon një hetim.

Presidenti Trump humbi në Xhorxhia me një diferencë prej 11,779 votash nga mbi 5 milionë vota në total. Në këtë shtet votat u numëruan tre herë, gjë që rezultoi në certifikimin dy herë të rezultatit që nxori fitues demokratin Joe Biden.

Telefonata mes ish-Presidentit Trump dhe zotit Watson ishte parathënie e telefonatës së shumë diskutuar që ndodhi disa ditë më pas mes zotit Trump dhe sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger. Në atë bisedë, e cila u mbulua intensivisht nga shtypi në janar, ish-Presidenti Donald Trump i bën presion zotit Raffensperger t’i “gjejë” një numër të mjaftueshëm votash për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia./VOA/