Dekreti/ Kushtetuesja me 7 anëtarë: Presidenti Meta emëron Sonila Bejten

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që gjyqtarja Sonila Bejtja të jetë emërimi i shtatë në Gjykatën Kushtetuese.

Pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtës, (KED) i dërgoi sot listën përfundimtare me renditjen e kandidatëve, Meta emëroi magjistraten Bejtja, e cila renditej në listë me 76.83 pikë.

Tanimë në Kushtetuese kanë mbetur vetëm 2 vende vakante.

NJOFTIMI I PLOTË I PRESIDENCËS:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta sot më datë 28.12.2020, ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e krijuar pas mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Muçi, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11364, datë 22.11.2019.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 66, datë 28.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019, si më poshtë:

) Sonila Bejtja 76.83 Pikë

Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11886, datë 28.12.2020, ka vendosur që:

– Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.