Opozita shqiptare ka djegur mandatet e deputetit dhe ndodhet në protestë prej ditësh, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama. Sipas tyre është një qeveri e kapur nga krimi. Por nga ana tjetër qeveria i është kundërpërgjigjur duke e akuzuar se është duke u ndihmuar nga rusët, duke përmendur edhe kontratat e lotimit të PD-së të cilat dyshohet se janë sponsorizuar nga Rusia.
Por ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin ka një përgjigje për këto akuza. Sipas tij akuzat janë të pabaza, ndërsa ka dhe një mesazh për politikën shqiptare.
“Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit. Për fat të mirë, populli shqiptar e kupton këtë gjë dhe nuk i merr seriozisht këto spekulime, ashtu si edhe shumica e ekspertëve dhe analistëve të këtij vendi”, tha Karpushin në një televizion shqiptar.
Sipas ambasadorit rus, është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
“Zbavitëse është kur deklarata të tilla bëhen në Itali, me të cilën Rusia ka tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe kulturore, si edhe ndërveprim shumë intensiv politik”, shtoi Karpushin.