Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho e cilësoi të pavërtetë deklaratën e bërë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ditën e djeshme, ku tha se ish-ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, i kishte kërkuar arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha. Komentin e tij, Braho e bëri mbrëmjen e sotme në emisionin ”Fronline” në News 24.
Sipas Brahos, Llalla po shpif në mënyrë që të mund të gjejë diçka për të dalë nga situata e vështirë, në të cilën ndodhet me drejtësinë.
Braho tha se një përfaqësuese e BE-së, nuk mund t’i thotë një prokurori që të arrestojë një politikan, nëse për të nuk ka prova.
Spartak Braho: ”Nuk është e vërtetë. Shpif pa pikë turpi. Kërkon të dalë nga situata. Nuk mund të vijë perfaqesuesja e Bashkimit Europian te një prokurori i dyshimtë siç ishte Llalla, dhe t’i thoshte arresto shefin e opozitës. Kush ishin akuzat për ta arrestuar? Kjo është aleanca e Berishës dhe Llallës së bashku me Metën. Këta janë të listës së zezë. Po bëjnë aleancë.”
Çfarë tha Llalla mbrëmjen e djeshme në Syri Tv
Adriatik Llalla: ”Për Berishën po, më është kërkuar që të arrestohet, një kërkesë që është bërë nga ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin që të arrestohet dhe të ndiqet shembulli i Kroacisë. Ajo më tha se, që Shqipëria të futet në BE duhet të ndjekë rrugën e Kroacisë dhe të arrestoj Sali Berishën dhe ti ke rastin që të tregosh forcën tënde të ndihmosh Shqipërinë të futet në BE. Ajo ka përfituar nga rasti që ishte në statusin e diplomates, sepse në kushte të tjera kjo është e patolerueshme për secilin qytetar të lirë kërkohet arrestim pa prova është absurditet që kërkon të hysh në zyrat e një shteti të pavarur dhe ti imponohesh në forma të tilla.”