Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj është thirrur sot në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Gjatë fjalës së tij Cakaj tha se që prej shtatorit të vitit të kaluar ka nisur procesi “Sceering”.
“Këshilli Europian ka kërkuar vazhdimin e vettingut, ngritjen e SPAK e BKH dhe rritjen e luftës kundër krimit e korrupsionit. Komisioni europian ka vlerësuar se të gjitha kushtet teknike janë plotësuar nga Shqipëria dhe meriton hapjen e negociatave. Në këto tre kushte, Komisioni Europian vlerëson faktin se 88 gjyqtarë e prokurorë janë larguar nga puna për shkak të vettingut. KE vlerëson zhvillimet për ngritjen e institucioneve të drejtësisë si KED, KPL e KLGJ. Kemi qenë aktiv në një fushatë diplomatike, pasi vitin e kaluar kemi marrë një mësim, pasi ekziston nga mospërputhje mes vlerësimit të komisionit dhe opinionit politik te Këshillit Europian. Kështu kemi pasur takime të shumta për të hedhur më tepër dritë për shkallën e progresit që ka shënuar Shqipëria, me qëllim hapjen e negociatave me tetor të këtij viti”, tha Cakaj.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Rudina Hajdari tha se Cakajt i ishte kërkuar disa herë që të ishte i pranishëm në komision.
“Nga momenti i publikimit të raportit të Komisionit Europian, Komision Integrimit ka dërguar disa kërkesa për të ardhur në komision.
Kemi pasur vende skeptike si Gjermania, Danimarka, Franca, Holanda e tani se fundmi edhe Greqia”, pohoi Hajdari.
Ministri Cakaj tha se mes qeverisë dhe Kuvendit ka pasur bashkëpunim për çështjet e integrimit. “Nuk ka pasur mungesë bashkëpunimi mes qeverisë dhe Kuvendit apo mungesë respekti mbi raportin e planit të masave. Më parë raportet janë publikuar në vjeshtë dhe ka pasur kohë për planifikimin. Tani kur raporti nga Komisioni Evropian u publikua në maj, ka qenë tepër sfidues që plani të zbërthehet në pikat e veçanta. Vonesat në dorëzim të raportit nuk manifestohet në vonesa të zbatimit të çfarë kërkon raporti. Sot kemi dorëzuar raportin me planin e masave për procesin e integrimit në qeveri. Vendet skeptike siç i quani ju, secila ka pasur pretendime për fusha të caktuara.
Shqipëria ka shumë probleme, thelbi është nëse janë akumuluar reforma që të hapen negociatat dhe Shqipëria ka bërë reforma më shumë se vendet e tjera në rajon. Sa i takon reformës zgjedhore, ka qenë element shumë me rëndësi për procesin e hapjes së negociatave, por jo kusht formal për hapjen e negociatave”, tha Cakaj.
Teksa u pyet në lidhje me deklaratat e kryeministrit grek Micotaqis se nuk e mbështet çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, derisa të ketë ndryshime në trajtimin e minoritetit etnik, ministri Cakaj tha se nuk mund të komentojë mbi llogaritë e çfarëdo lideri. Ai tha se situata e minoritetit grek në vendin tonë është publike dhe shumë e qartë.
“Me qeverinë e mëparshme greke kemi pasur proces aktiv komunikimi e nuk ka pasur barriera për integrimin. Dhe me qeverinë aktuale jemi në kontakte, por Shqipëria është në pozicionin që duhet të marrë mbështetje politike për të pasur një vendim në tetor. Nuk mund të komentoj mbi motivet apo llogaritë e çfarëdo lideri. Situata e minoritetit grek në vend është publike dhe e shumë e qartë”, tha ministri.