Dekada e durimit: Si Kina u bë një fuqi në Ballkanin Perëndimor

Nga: Vladimir Shopov “European Council on Foreign Relations”

Pekini ka punuar prej kohësh për të ndërtuar koalicione me qeveritë në pushtet dhe partitë dominuese në Ballkanin Perëndimor, më shpesh duke nënshkruar me ta marrëveshje direkte, të cilat i nënshtrohen shumë shqyrtimit nga parlamentet përkatëse. Një bashkëpunim i tillë qeveritar dhe partiak ndodh në nivelet dypalëshe dhe shumëpalëshe, kryesisht përmes 17+1, një format bashkëpunimi i drejtuar nga Kina që përfshin një sërë vendesh të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Gjithashtu Kina merr pjesë në Dialogun e Partive Politike Botërore, si pjesë e përpjekjeve të Partisë Komuniste Kineze për të plotësuar bashkëpunimin ndërshtetëror me atë të bazuar në afërsinë ideologjike. Por rënia e regjimeve të personalizuara të Ballkanit Perëndimor siç është ai në Malin e Zi, e ka detyruar Kinën që të diversifikojë me shpejtësi lidhjet e saj partiake.

Ky proces është gjithashtu i dukshëm në shtete të tilla si Bosnje Hercegovina, ku lehtësohet nga struktura kushtetuese e vendit, e cila siguron barazi midis 3 njësive përbërëse. Në mënyrë të ngjashme, Pekini thuhet se e ka bërë bashkëpunimin partiak një element me rëndësi në marrëdhënien e tij me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Dhe zgjatimi i këtyre lidhjeve nga ana e Kinës është pjesë e një tendence afatgjatë. Për shembull, bashkëpunimi midis Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi dhe Partisë Komuniste Kineze daton që nga viti 2010. Serbia dhe Kina përfshinë dimensionin e bashkëpunimit partiak në partneritetin strategjik që ata nënshkruan në vitin 2009.

Dhe ndërveprime të tilla po rriten edhe në Kosovë. Pavarësisht nga mosnjohja e Kosovës nga Kina si një shtet i pavarur, palët kanë mbajtur një marrëdhënie joformale në Prishtinë dhe në Kombet e Bashkuara. Si pjesë e këtij raporti, Kosova duket se ka refuzuar të njohë pavarësinë e Tajvanit, dhe kjo qasje në një përpjekje për të fituar kapital diplomatik me Kinën.

Shefi i zyrës përfaqësuese të Kinës në Prishtinë, e ka ngritur gradualisht profilin e tij publik. Gjithashtu Kina është përpjekur t`a shtojë praninë e saj në Kosovë duke u ofruar – edhe pse pa sukses –që të ndërtojë një termocentral me qymyr, dhe për t’i shitur pajisjet e Huawei kompanisë kryesore të telekomit në Kosovë.

Ndërkohë, Pekini po e diversifikon edhe diplomacinë e tij kulturore. Ai po e bën këtë duke ngritur Institutet e Konfucit,veprimet e të cilëve kanë qenë subjekt i kritikave në rritje në shumë vende. Kjo nismë fokusohet në krijimin e qendrave kulturore kineze, të cilat kanë një portofol shumë më të gjerë aktivitetesh, dhe përqendrohen në ndërveprimin dhe bashkëpunimin kulturor.

Qendra më e madhe në rajon, ajo në Beograd, është në prag të përfundimit dhe është planifikuar të jetë brenda këtij viti plotësisht funksionale. Kina ka në plan të ngrejë një institucion të ngjashëm në Tiranë në vitet e ardhshme, pasi i ka ngritur më herët në kryeqytetet e Evropës Juglindore si Sofje, Athinë dhe Bukuresht.

Vitet e fundit kanë parë një rritje të dukshme të pranisë mediatike të Kinës në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për shembull, midis viteve 2016 dhe 2019, numri i lajmeve të zgjeruara mbi Nismën e Brezit dhe Rrugës (BRI) në Shqipëri u rrit nga 42 në 194.

Këto histori kryesisht përbëhen nga informacione që janë faktike, me një ton neutral dhe të orientuara drejt çështjeve ekonomike. Por atyre zakonisht u mungojnë vlerësimet kritike mbi aktivitetet e Kinës.

Për më tepër, ato e paraqesin Kinën si një fuqi ekonomike miqësore, e cila është e hapur për bashkëpunim, dhe e aftë të ofrojë mundësi financiare dhe të llojeve tjera. Marrëveshjet e ndryshme që nënshkruan qeveria kineze me homologët e saj në Ballkanin Perëndimor, kanë rrallë një mbulim negativ në mediat e rajonit.

Ambasadorët kinezë e kanë shtuar gradualisht angazhimin e tyre me gazetarët në rajon. Në disa vende të Evropës Juglindore, si për shembull në Kroaci, ka pasur madje përpjekje direkte për të blerë një grup të madh mediatik.

Edhe lidhjet akademike dhe ndërpersonale midis Kinës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë gjithashtu në rritje. Për shembull, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje të gjerë bashkëpunimin me homologen e saj kineze.

Por depërtimi i Kinës është me i madh përmes projekteve në infrastrukturë. Pas krizës financiare të vitit 2008, Kina e ka shtuar shumë ndikimin mbi infrastrukturën detare të Evropës Juglindore, pasi mori kontrollin e portit grek të Pireut. Kina ka synuar të bëjë të njëjtën gjë me portet e Durrësit dhe Vlorës në Shqipëri, por është përballur me pengesa të ndryshme politike, shumica e tyre të lindura pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Gjithsesi,Pekini ka vazhduar përpjekjet e tij për të forcuar pozicionin e vet përgjatë bregdetit Adriatik. Një konsorcium kinez garoi vitin e shkuar për të ndërtuar një terminal të ri në portin kroat të Rijekës.

Kina po ndërton aktualisht linja të reja hekurudhore që kalojnë përmes Kroacisë, vendeve të tjera në Adriatik dhe shteteve të Evropës Qendrore.Në rast se qeveritë në Ballkanin Perëndimor nuk janë në gjendje të paguajnë huat e marra nga Kina, ato mund të detyrohen sipas kontratës t’ia transferojnë Pekinit pronësinë e porteve të ndryshme. Kjo do t’i siguronte Kinës një farë fuqie reale në rajon.

Gjithsesi ndikimi kinez do të vazhdojë të përballet me një numër sfidash. E para është vëzhgimi në rritje ndërkombëtar i rajonit, për shkak të intensifikimit të konkurrencës gjeopolitike. Së dyti, ekzistojnë dallime të mëdha kulturore dhe të sjelljes midis aktorëve kinezë dhe kontakteve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

Së treti, është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizatat euro-atlantike. Anëtarësimi në NATO është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kuptim, pasi ka kufizuar mundësitë e Kinës për të bashkëpunuar me këto vende në fusha të tilla si infrastruktura strategjike, siguria, mbrojtja dhe komunikimet dixhitale.

Negociatat për pranimin e vendeve të rajonit në BE do të ndikojnë gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet me Kinën. Gjithsesi BE, NATO dhe vendet e tyre anëtare duhet të identifikojnë fushat kryesore në të cilat ata mund t’i japin mbështetje vendeve të rajonit, përndryshe do të vijojnë të lënë atje një hendek të madh që do të mbushet nga aktorë të fuqishëm si Kina.

Burimi i lajmit: https://ecfr.eu/publication/decade-of-patience-how-china-became-a-power-in-the-western-balkans/

Përshtatur nga TIRANA TODAY