Kultura

Debate të forta/ Pse Çmimi Nobel, nuk është fituar gjithmonë nga më të mirët?


               Publikuar në : 11:52 - 15/10/19 A.F

Shpërndarja vjetore e çmimeve Nobel nga Akademia Suedeze, është shoqëruar shpesh me debate të forta. Kjo për shkak të figurave që janë përjashtuar nga ky çmim prestigjioz, dhe nga ana tjetër për ata që janë shpallur fitues. Pas skandalit që përfshiu vjet Komitetin e Nobelit, Akademia vendosi që të pezullojë për një vit dhënien e çmimeve.

Drejtuesit e akademisë, u zotuan të ndryshojnë disi kriteret dhe zgjerojnë gjeografinë e fituesve. Megjithatë dhënia e Nobelit për letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, tregon se është reflektuar shumë pak ndaj kritikave. Sërish është preferuar të zgjidhet një kandidat që dihej se do të shkaktonte jo pak polemika, për shkak të qëndrimit të tij skandaloz pro krimeve që kanë kryer serbët në ish-Jugosllavi, dhe në mbështetje të hapur të Sllobodan Millosheviçit.

Por Nobelët në letërsi, kanë një histori të gjatë debatesh. Shumë shkrimtarë të mëdhenj janë injoruar nga Komiteti i Nobel, ndoshta për arsye politike ose ekstra-letrare. Ndërkohë, çmimi ka shkuar për shkrimtarë të tjerë, që kritika e mëvonshme letrare i ka cilësuar ata ‘shkrimtarë të vegjël apo ‘të pavlerë’.

Gjatë viteve 1901-1912, Komiteti ishte i fiksuar pas “idealeve të larta dhe të shëndosha” që duhej të kishin kandidatët, gjë që shkaktoi refuzimin e shkrimtarëve të mëdhenj si Leon Tolstoi, Henrik Ibsen, Emil Zola dhe Mark Tuein. Si arsye citohej antipatia historike, që Suedia kishte ndaj Rusisë. Për këtë arsye as Tolstoi dhe Anton Çehov, nuk e fituan asnjëherë atë çmim.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Komiteti shpalli neutralitetin, duke favorizuar shkrimtarët që vinin nga vendet e papërfshira në luftë. Shumica e laureatëve, kanë qenë evropianë. Suedezët kanë fituar më shumë çmime, se të gjitha vendet aziatike të marrë së bashku. Në vitin 2008, Horac Engdal, sekretari i përhershëm i Akademisë, deklaroi se “Evropa është ende qendra e botës letrare”, dhe se “SHBA-ja është shumë e izoluar.

Nobeli i vitit 2010, i dhënë shkrimtarit peruan Mario Vargas Llosa ngjalli polemika, kryesisht për shkak të pikëpamjeve të tij politike të krahut të djathtë. Llosa madje u quajt “mbret i polemikave”, duke u fokusuar më shumë në politikë, sesa në letërsi.

Edhe çmimi i vitit 2009 dhënë gjermanes Herta Myler, u kritikua pasi shumë kritikë dhe profesorë të letërsisë amerikane, nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për të. Edhe Nobeli i vitit 2005 dhënë britanikut Harold Pinter, mendohet se u motivua më shumë nga kritikat e tij të forta publike kundër Luftës në Irak.

Në vitin 2004, anëtari i Akademisë, Knut Ahnlund, dha dorëheqjen, duke pretenduar se përzgjedhja e shkrimtares Elfride Jelinek, i kishte shkaktuar një “dëm të pariparueshëm” reputacionit të këtij çmimi. Nobeli i vitit 1997, shkoi për dramaturgun italian Dario Fo, që fillimisht u vlerësua si “një peshë mjaft e lehtë” nga disa kritikë.

Ndërkohë shkrimtarët Salman Rushdi dhe Artur Miler, ishin disa herë favoritë për të fituar këtë çmim, por një anëtar i komitetit u citua më vonë të thoshte, se ata do të kishin qenë “shumë të parashikueshëm, shumë popullorë”.

Por çuditë e këtij çmimi nuk ndalen me kaq. Nobeli i vitit 1974 iu mohua shkrimtarëve të njohur Graham Grin, Vladimir Nabokov dhe Saul Bellou, në favor të një çmimi të përbashkët për shkrimtarët suedeze Ejvind Xhonson dhe Herri Martinson. Që të dy anëtarë të jurisë në Komitetin e Nobelit, dhe të panjohur jashtë vendit të tyre.

Bellou e fitoi këtë çmim 2 vjet më vonë, ndërsa Grin dhe Nabokov kurrë. Nobelin e vitit 1970, e fitoi disidentit sovjetik Aleksandër Solzhenicin, që nuk mori pjesë në ceremoninë gala në Stokholm, nga frika se Bashkimi Sovjetik do ta pengonte të rikthehej në vendlindje.

Ndërkohë, qeveria suedeze refuzoi të zhvillojë një ceremoni të veçantë për të në ambasadën e saj në Moskë. Solzhenicin e pranoi çmimin vetëm më 10 dhjetor 1974, pasi Bashkimi Sovjetik e dëboi nga vendi. Shumë kritikë, sugjerojnë që Solzhenicinit iu dha çmimi për shkak të qëndrimit të tij politik, dhe jo veprës së tij.

Shkrimtari i madh rus Tolstoi, u nominua për këtë çmim çdo vit midis viteve 1902-1906, por nuk e fitoi asnjëherë. Në vitin e parë të këtij çmimi, 1901, ai as që u nominua fare, duke shkaktuar një debat të madh. Raportet e kohës, sugjerojnë se Tolstoi nuk e mori çmimin për shkak të rezervave që kishte juria ndaj pozicioneve të tij politike dhe fetare, si dhe marrëdhënies së tensionuar midis Suedisë me Rusinë në atë kohë.

Shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges u nominua disa herë, por nuk e fitoi kurrë atë çmim. Edvin Uilliamson, biografi i Borgesit, mendon se një ndër arsyet mund të ketë qenë mbështetja e tij ndaj diktatorëve ushtarakë të krahut të djathtë në Argjentinë dhe Kili.

Por ky arsyetim bie ndesh me shkrimtarët laureatë të këtij çmimi, që kanë mbështetur hapur diktaturat e së majtës. Përfshirë Josif Stalin në rastin e francezit Zhan Pol Sartërt dhe kilianit Pablo Neruda. Apo Fidel Kastros, në rastin e kolumbianit Gabriel Garsia Markez.

Refuzimi i akademisë për të mbështetetur shkrimtarin Salman Rushdi në vitin 1989, pasi Ajatollahu i Iranit Ruhollah Khomeini kërkoi ekzekutimin e tij me vdekje, detyroi dy anëtarë të Akademisë të jepnin dorëheqje./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT