Danimarka ndalon plotësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca

Danimarka është vendi i parë në Evropë që ndalon plotësisht përdorimin e vaksinës anti-covid të prodhuar nga kompania AstraZeneca, për shkak të rasteve me mpiksje të gjakut.

Ky veprim do të vonojë shtrirjen e vaksinimit të Danimarkës me disa javë, shkruan BBC. Zyrtarët thanë se 2.4 milionë dozat që posedon vendi, do të tërhiqen deri në një njoftim të ri.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se në bazë të studimeve, një në 40.000 njerëz është prekur nga mpiksja e gjakut. Ky është një rezultat më i lartë sesa ishte pritur.

Agjencia Evropiane e Barnave javën e kaluar njoftoi për një lidhje të mundshme me mpiksjen e gjakut që shkaktohet nga kjo vaksinë.

Por, megjithatë agjencia tha se rreziku për vdekje nga sëmundja COVID-19 është shumë më i madh.