Dalin fotot/ Momenti i fundit kur Klodian Rrasha u vra nga efektivi i policisë

Zbulohen fotot që tregojnë momentin e ekzekutimit me një plumb në zemër të Klodian Rrashës, në 8 dhjetor të vitit 2020 në zonën e Laprakës.

Për këtë vrasje që trazoi vendin duke provokuar dhe protesta të dhunshme në Tiranë, momentalisht është marrë i pandehur polici i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdari, ndaj të cilit prokuroria e Tiranës, ka ngritur akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Ora News ka mundur të sigurojë foto nga tabela fotografike e dosjes hetimore, ku duket qartë ndjekja dhe përpjekja e policit, Nevaldo Hajdari, për të kapur personin tjetër që ishte Klodian Rrasha.

Nga fotot, duket momenti se si Nevaldo, kapërcen kangjëllat anës rrugës dhe hyn në trotuar, duke tentuar të ndalojë 26-vjeçarin Klodian Rrasha.

Por, ky i fundit e ka shtyrë punonjësin e policisë dhe është larguar me vrap, ndërsa Nevaldo është rrëzuar në trotuar.

Siç shihet në këtë foto tjetër në pozicion të shtrirë Nevaldo Hajdari ka hapur zjarr me armën e shërbimit, duke e qëlluar dy herë Klodian Rrashën.

Një nga plumbat nuk e ka prekur fare, por është ngulur në qepenin e një dyqani aty pranë.

Ndërsa plumbi i dytë, e ka prekur në shpatull Klodian Rrashën, duke bërë që ky fundit të hyjë në rrugicën që e çonte në shtëpinë e tij.

Në këtë foto tjetër që është arritur të nxiret nga kamerat e sigurisë së një biznesi, dallohet qartë momenti i rrëzimit në tokë të Klodian Rrashës.