Për kryebashkiakun Vangjush Dako, pas publikimit të përgjimeve qëndron opozita. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i ftuar në “Repolitix”, në Report Tv, tha se PD në këtë formë po justifikon humbjen, e që protesta e nesërme të marrë mbështetje. Po kështu, sipas tij, kjo bëhet edhe për të baltosur figurën e tij, e të justifikojnë daljen nga Kuvendi.
“Ndjej një përbuzje që kjo histori është ngritur për të manipuluar opinionin publik, që votat janë vjedhur dhe se mazhoranca aktuale ka ardhur nga votat e vjedhura.
PD po justifikon humbjen e tyre me këtë përgjime, dhe që protesta e tyre e nesërme të marrë mbështetje. Kjo farsë sajohet që ata të kenë një kauzë për të legjitimuar pse dolën nga parlamenti, dhe të baltosin figurën time.
Garantoj të gjithë qytetarët që në Durrës votat nuk janë vjedhur, as nga bandat e as nga mazhoranca. Nuk ka ndryshuar rezultati nga manipulimi. Kjo çorbë është gatuar në zyrat e Partisë Demokratike, dhe e kanë çuar te gazeta gjermane. Pa diskutim që materialet kanë dalë nga Prokuroria”, tha Dako.