Nga: Marsela Sinani/Thonë se në Shqipëri, çudia më e madhe tre ditë zgjat. Aq zgjati edhe zhdukja e Gjetan Gjetanit nga PS, sikur të mos kishte mjaftuar një jetë që jepte kontributin e tij të pakursyer. Mediat e pritën krahëhapur, aq sa beteja mes tij dhe Ramës doli shkoqur, në shesh të burrave, ku parimet e tij për asnjë arsye nuk duhet të nëpërkëmbeshin.
Kryeministri i vendit i dha shuplakën e radhës, atë vendimtare, duke e larguar nga PS me një të rënë të lapsit. I zhgënjyeri në këtë rast, ndryshe nga ç’mund të imagjinohej, reagoi në mënyrë të qytetëruar. Nuk pati debat, as zjarr. Komentet aty u hapën, e aty u lanë. Kaq ishte edhe për Gjetanin!
Ngjarja e Kukësit tregonte ndër të tjera një realitet të trishtë, atë të njeriut të grabitur, i cili nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendja e tij e dëshpëruar. Përgjigjja e kuksianëve, si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e ‘Rrugës së Kombit’ bëri shumë zhurmë. Komentet në rrjetet sociale ishin të tmerrshme.
Shembja e Teatrit solli sërish rebelim në masë, artistë të cilët derdhën lot për ato mure, ku u risillnin ndërmend vitet e arta të karrierës së tyre.
Ajo çfarë u trumbetua si një ndër arritjet e qeverisë ishin edhe të ashtëquajturat librat ‘falas’, për të cilën prindërit u gëzuan se nuk do u shkonte rroga dëm. Por ata që e kanë kuptuar marifetin e kësaj loje, e për fëmijët të cilët nuk duhet të copëtojnë sikundër një cop letër, lekët sërish do jepen në një formë, a një tjetër.
E si të mos mjaftonte kjo, qytetarët tashmë po presin radhën e ‘qumështit’, si në kohën e Xhaxhit, për të blerë një dekoder. Me kartona nëpër duar, për të ndaluar ato rreze dielli, të rinj e të reja, e më së shumti të moshuar, kanë zënë radhën që sapo ka zbardhur dita, për të shpëtuar një herë e mirë nga ai terr që i ka kapluar.
Karikaturisti Bujar Kapexhiu, me mjaft mjeshtëri ka sjellë mesazhin e radhës, ku në krye ndodhet Rama me ministrat e tij. Makinës i janë shpuar gomat, por ama Rama e ka marrë përsipër ti japë dorën e fundit, që makina të mos shfaqë asnjë pengesë rrugës…!
TIRANA TODAY