E shtunë, 23 Janar, 2021
10 C
Tirana

Covid-19 ka ndryshuar ëndrrat tona, çfarë shohin më shumë njerëzit në gjumë

Pandemia e Covid-19, ka ndryshuar gati çdo aspekt të jetës sonë. Madje dhe ëndrrat që shohim në gjumë. Menjëherë sapo nisën bllokimet e para, njerëzit raportuan se shihnin më shumë ëndrra se më parë, por me përmbajtje të ndryshme.

Kjo u shpjegua me faktin se shumë njerëz po flinin më gjatë, dhe zgjoheshin pa zilen e alarmit të orës apo celularit. Të tjerë raportuan se po përjetonin më shumë stres, gjë që gjithashtu mund të ndryshojë llojin e ëndrrave që shohim.

Tani një studim i ri i botuar në revistën shkencore “PLOS”, ka analizuar qindra raporte të ëndrrave para dhe gjatë bllokimit, për të dhënë rezultate të hollësishme të ndikimit të pandemisë në ëndërrimin tonë. Së pari, u pa se është e vështirë të studiosh ëndrrat gjatë pandemisë së Covid-19.

Për shkak se pandemia ishte e papritur, një nga sfidat ishte gjetja e të dhënave fillestare të ëndrrave, me të cilat të krahasoheshin të dhënat gjatë pandemisë. Një nga metodat është të pyesni pjesëmarrësit në studim nëse ëndrrat e tyre kanë ndryshuar gjatë pandemisë, krahasuar me periudhën më parë.

Kjo u bë në marsin e këtij viti, kur qindra amerikanë u anketuan nga YouGov. Gati 30 për qind e pjesëmarrësve raportuan se mund të mbanin mend më shumë ëndrra se më parë, ndërsa vetëm 7.5 për qind raportuan kujtimin e më pak ëndrrave.

Gjithashtu, njerëzit raportuan se ëndrrat e tyre ishin bërë më negative në aspektin emocional. Gjithsesi, vetëm 8 për qind e të anketuarve raportuan se kishin parë vërtet një ëndërr që lidhej me Covid-19. Një metodë e dytë, është mbledhja e përshkrimeve të shkruara të ëndrrave, të quajtura raporte të ëndrrave, dhe krahasimi i tyre me raportet e mbledhura disa vjet më parë nga autorë të tjerë.

Një sondazh i kryer në internet, u postua nga studiuesi i Shkollës Mjekësore të Harvardit Deirdre Barret. Ai ishte realizuar nga marsi deri në korrik 2020. Ai u kërkoi pjesëmarrësve përshkrimin e “çdo ëndrre që keni parë në lidhje me Covid-19”.

Ëndrrat e 2.888 njerëzve u përpunuan nga Linguistic Inquiry and Word Count (LIWC), që është një metodë e kompjuterizuar e analizës së tekstit. Ajo identifikon emocionet, siç janë lumturia ose trishtimi, dhe kategori të tjera të përmbajtjes së tekstit.

Studimi zbuloi se ëndrrat gjatë pandemisë, kishin më shumë emocione negative, dhe më pak emocione pozitive, krahasuar me ëndrrat para pandemisë. Studimi i ri, nga Natalia Mota e Universitetit Federal të Rio Grandes në Brazil dhe kolegët e saj, përdori një metodë të tretë. Ata mblodhën raporte të ëndrrave nga 67 pjesëmarrës brazilianë në studim, duke përdorur të njëjtën procedurë për të dhënat para dhe gjatë bllokimit.

Një grup pjesëmarrësish, raportuan mbi ëndrrat që kishin parë gjatë shtatorit dhe nëntorit 2019, dhe një grup tjetër për ëndrrat e para gjatë bllokimit të Brazilit në mars dhe prill të këtij vitit. Të dyja grupet e pjesëmarrësve ishin përzgjedhur mirë në lidhje me nivelin e arsimit, moshën dhe shpërndarjen gjinore.

Edhe ky studimi gjithashtu përdori sistemin LIWC, për të identifikuar automatikisht fjalët emocionuese në raportet e ëndrrave. Në total, u vlerësuan 239 raporte nga pjesëmarrësit. Studiuesit zbuluan se raportet e ëndrrave gjatë pandemisë ishin më të gjata, kur mateshin me fjalë, sesa raportet para pandemisë. Gjithashtu, ata vunë në dukje se ëndrrat pandemike kishin dukshëm më shumë zemërim dhe trishtim sesa ëndrrat para-pandemike.

Ky efekt u zbulua edhe kur u mor parasysh gjatësia e rritur e raporteve mbi ëndrrat. Interesant është fakti, që niveli i zemërimit dhe trishtimit në ëndrra, lidhej gjithashtu me atë sesa vuajtje mendore kishte personi në fjalësi rezultat i izolimit social gjatë bllokimit.

Kjo gjetje është në përputhje me teorinë e rregullimit emocional të ëndërrimit, që sugjeron që kur flemë ne i përpunojmë dhe rregullojmë emocionet tona. Ndërkaq, ëndrrat gjatë pandemisë kishin gjithashtu më shumë referenca për ndotjen dhe pastërtinë.

Autorët e lidhin këtë me teorinë e simulimit të kërcënimit, që thotë që ne praktikojmë tejkalimin e kërcënimeve në realitetin virtual të ëndrrave tona. Në fund të studimit, pjesëmarrësit vlerësuan se sa mbanin shënim ëndrrat e tyre,apo ua treguan ato të tjerëve gjatë studimit.

Rezultoi se një sjellje e tillë, ndodhte më shumë tek njerëzit që ishin të lumtur (përkundrejt atyre të trishtuar), energjikë (përkundrejt atyre të lodhur), paqësorë (përkundrejt atyre agresivë), altruistë (përkundrejt atyre egoistë) dhe krijues (përkundrejt atyre konfuzë).

Ndoshta njerëzit që ndajnë me të tjerët ëndrrat e tyre gjatë pandemisë, kanë më shumë gjasa ta marrin seriozisht frikën, zemërimin dhe trishtimin që ndiejnë, emocione që ne shpesh mund t’i largojmë gjatë orëve kur jemi zgjuar.

Biseda me të tjerët mbi ëndrrat që shohim, mund të jetë e dobishme në menaxhimin e emocioneve, në vend se të vuani në heshtje. Autorët e studimit të ri, arrijnë në përfundimin se vëmendja dhe tregimi i ëndrrave tona, është një “mënyrë relativisht e sigurt për vetë-vëzhgim dhe menaxhim të shëndetit mendor, që mund të rekomandohet gjatë kësaj periudhe pasigurie”.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/coronavirus-dreams-how-anger-sadness-and-fear-crept-in-during-lockdown-new-research-151052

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...