Një ditë pasi Rusia mbylli kufirin e saj lindor me Kinën, janë konfirmuar dy rastet e para të personave të prekur nga coronavirusi. Lajmin në fjalë e ka përcjellë zëvendëskryeministrja Tatyana Golikova.
Për fat të keq, jo vetëm në Rusi, por listës së personave të prekur nga coronavirusi i shtohet edhe Suedia. Duke iu referuar gazetës lokale suedeze “The Local”, bëhet fjalë për një grua e cila kishte mbërritur në Suedi më 24 janar, pasi kishte vizituar Wuhanin.
Në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu u konfirmuan dy raste me coronavirus. Të prekurit janë dy persona nga e njëjta familje. Gjermania nga ana tjetër ka konfirmuar përmes Ministrisë së Shëndetësisë së Bavarisë se është shtuar edhe një person tjetër i prekur, duke e çuar në 6 numrin total të të prekurve. Një nga ata thuhet se është një djalë i vogël.
Në Gjermani dyshohet se rastet e identifikuara janë të lidhura me një kompani bavareze, e cila është vizituar nga një grua kineze e infektuar që vinte pikërisht nga Wuhani.
Italia po ashtu konfirmoi dje dy persona të infektuar me coronavirus. Ata ishin një çift kinez që kishte mbërritur në Itali para një jave, dhe kishin disa ditë që po qëndronin në Romë.
OBSH e shpalli ditën e djeshme coronavirusin emergjencë globale.